Kanë kaluar dy javë nga nisja e vitit akademik në Shqipëri dhe sallat e Fakultetit të Mjekësisë janë bosh.
Studentët bojkotojnë mësimin dhe protestojnë kundër ligjit që i detyron mjekët e ardhshëm të punojnë në Shqipëri deri në 5 vjet pas përfundimit të studimeve – në të kundërtën, duhet të paguajnë një tarifë të caktuar.
Ata që janë dakord me këtë kufizim, duhet të firmosin një kontratë, që ende nuk është hartuar, pasi nuk ishte e përcaktuar tarifa që duhet të paguajë një student në një vit.
Bordi i Administrimit të Universitetit të Mjekësisë publikoi këtë javë përllogaritjen e bërë për koston e një studenti, që kap vlerën e 2.300 eurove në vit. Vlera është rreth tri herë më e ulët se ajo që paraqiti Qeveria në relacionin e Ligjit për studentët e mjekësisë. Sipas Qeverisë, kostoja e një studenti në një vit është 6.500 euro.
Pas publikimit të tarifës, studentët marshuan nga Fakulteti i Mjekësisë drejt Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Në duar mbanin pankarta me mbishkrime si: “Si mund të kurojnë duart e prangosura”, “Kushte nuk kemi, por kemi Kushtetutë”, “Kur liderët sillen si fëmijë, fëmijët bëhen liderë”.
Rei Haluli, student i Mjekësisë së Përgjithshme, i tha Radios Evropa e Lirë se, pavarësisht se tarifa është tri herë më e ulët se ajo që paraqiti Qeveria, kjo nuk e ndryshon qëndrimin e studentëve për të bojkotuar mësimet dhe për të protestuar.
“Ne nuk protestojmë vetëm për tarifën, sado që të jetë – qoftë 6.500 euro, qoftë 2.300 euro apo më pak – të gjitha janë abuzive në raport me cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet. Ne protestojmë për detyrimin, mendojmë se të detyrohemi të punojmë në një vend të caktuar, me rrogë të caktuar në vendin që dikush e zgjedh për ty, është e padrejtë”, tha studenti i vitit të katërt.
Qëndresa Qytetare, një organizatë që ka në fokus problemet e të rinjve, iu drejtua Universitetit të Mjekësisë me kërkesë për informacion për tarifën që duhet të paguajë një student, që zgjedh të mos e firmosë kontratën për të punuar deri në 5 vjet në Shqipëri.
Duke vërejtur ndryshimin e kësaj vlere me atë të relacionit të ligjit, Qëndresa Qytetare i është drejtuar edhe Kuvendit të Shqipërisë me kërkesën për të hetuar mospërputhjen e shifrave.
“Ose tjetër kosto i ka dërguar Parlamentit dhe tjetër neve, ose Qeveria ka dërguar në Kuvend një tarifë për të cilën nuk ka një bazë, një informacion nga Universiteti. I kemi kërkuar Kuvendit ta hetojë rastin”, thotë Rigels Xhemollari, drejtues i organizatës Qëndresa Qytetare.
“Pasojat e saj [tarifës] kanë qenë të shumta, i kanë nxitur studentët të zgjedhin universitete private që ofrojnë studime me atë çmim [6.500 euro], i kanë nxitur të aplikojnë në Gjermani apo vende të tjera të BE-së, pasi edhe atje tarifa varion rreth kësaj vlere. Gjithashtu kanë bërë që të ketë më pak regjistrime, konkretisht 1.734 maturantë nga 3.183 aplikime që ishin një vit më parë”, shton Xhemollari.
“Protesta derisa të anulohet ligji”
Studentët thonë se janë duke u konsultuar me ekspertë juridikë për ta dërguar ligjin në Gjykatë Kushtetuese. Ata thonë se bojkoti i mësimeve dhe protestat do të vazhdojnë dhe se zgjidhja duhet të vijë nga institucionet.
“Presim që Ministria e Arsimit të shprehet për këtë situatë, duke pezulluar ligjin. Kemi 4 muaj që askush nuk na dëgjon. Do të kthehemi në auditore kur të dëgjohemi, kur të jemi pjesë e bisedimeve”, tha studenti Rei Haluli.
Xhemollari, nga Qëndresa Qytetare, thotë se zgjidhja e kësaj situate duhet të vijë përmes anulimit të Ligjit për studentët e mjekësisë.
“Ligji i bazuar në një relacion të pavërtetë duhet të anulohet, të shfuqizohet, të nisë një proces konsultimi me studentët e Mjekësisë, jo vetëm për periudhën e studimeve, për mënyrën se si trajtohen, si diplomohen, por edhe për statusin e mjekut në shoqërinë tonë dhe për arsyet pse duan të ikin, pasi i mbarojnë studimet”.
“Duam që Qeveria të ulet në tryezë me studentët, të kemi një tërheqje nga ky ligj dhe dëshirë për t’i futur studentët në auditor, por edhe për ta bërë rolin, statusin e mjekut të dëshirueshëm”, thotë Xhemollari.
Ministria e Arsimit e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë reagim që prej nisjes së vitit të ri akademik.
Kur ka dalë me idenë e bllokimit të diplomës, rreth një vit më parë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë:
“Diplomën e mjekut nuk do ta japim sapo të mbarosh shkollën. Do të shkosh njëherë t’ia kthesh popullit tënd atë që ka bërë [ai] për ty, pastaj do ta marrësh edhe diplomën dhe shko ku të duash, sipas afateve të caktuara”.
Në dekadën e fundit, sipas Federatës së Mjekëve shqiptarë në Evropë, nga Shqipëria janë larguar mbi 3.000 mjekë – 1.500 prej të cilëve drejt Gjermanisë.
Ata ankohen kryesisht për kushte jo të mira në spitale, mungesë barnash dhe paga të ulëta.
Paga mesatare bruto e një mjeku në Shqipëri arrin në 110.000 lekë, apo 950 euro. Për krahasim, paga e pataksuar e mjekut në Gjermani arrin deri në 4.000 euro.
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?
Drenusha- Rovenës: Ti doje të kishe diçka me Atillën, edhe m...
Krasniqi-kreut të SBASHK’ut: Sfidave të mësimdhënësve iu vje...
Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit
Prokuroria në Prishtinë ngriti 121 aktakuza ndaj 126 persona...
Era e fortë shkakton dëme në Durrës, palma bie në mes të tro...