Në intervistën për Inside Albania, Kryeministri Edi Rama nuk përjashtoi mundësinë e një takimi mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në samitin e 16 tetorit në Tiranë, në një kohë kur tensionet mes palëve janë të larta.
“Nuk kemi planifikuar diçka të tillë, nuk e parashikoj. Çdo gjë mund të ndodhë sepse në situata të tilla ku të gjithë flasin me njëri-tjetrin, nëse ka një hapësirë ose nëse liderët e Gjermanisë dhe Francës që do të jenë këtu, do të duan të flasin me ta si bashkautorë të planit franko-gjerman që është në tryezë, ndoshta mund të ndodhë,” deklaroi Rama.
I vënë përballë kritikave të shumta nga klasa politike në Prishtinën zyrtare, përfshi Kryeministrin Albin Kurti dhe Ministren e Jashtme Donika Gërvalla për idetë e tij për të ngritur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në një nivel konference si dhe propozimin e tij për Bashkësinë e Komunave Serbe, Kryeministri kishte një përgjigje të gjatë por të qartë.
“Nuk po përpiqem të bëj të zgjuarin. Jam i sigurt që shumë prej tyre, përfshi vetë ata, mund të jenë më të zgjuar dhe ashtu janë. Por e kam problem t’i bëj njerëzit ose veten për budallenj. Nuk mund të gënjejmë veten. Ajo që ne kemi bërë deri më tani si komunitet shqiptar qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, na ka mësuar shumë qartë se kemi bërë gjithë këto arritje duke u qartësuar se në cilin krah jemi, me kë bashkëpunojmë ngushtësisht dhe cila është mënyra jonë për t’u përmirësuar si faktor shqiptar brenda vendeve tona dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Rruga është e shumë qartë: puna e palodhur drejt paqes, prirja drejt së ardhmes dhe të mos mbeturit peng i të shkuarës. Ne nuk i japim leksione miqve dhe aleatëve tanë të mëdhenj si ata duhet ta shohin botën, por kemi një bashkëpunim konstruktiv me ta dhe i qëndrojmë gjithnjë pranë. Kështu ja kemi dalë deri më sot. Çfarë ka këtu për t’u çuditur? Më e rëndësishmja, Serbia e ka humbur luftën. Kosova e ka fituar luftën. Historia ka treguar se kush ka humbur luftën nuk është i interesuar për paqen, ndryshe nga ai që e ka fituar luftën,” u shpreh Kryeministri.
Për Ramën, Kosova duhet të këmbëngulte për zbatimin e planit franko-gjerman, për të arritur atë që synon: njohjen përfundimtare.
“Plani franko-gjerman është ujdia më e mirë që Kosova mund të marrë, sepse është njohje de facto. Është propozim tolerant dhe i hap rrugën njohjes nga të tjerët. Përse nuk e nxisin ata? Përse nuk këmbëngulin? Përse Kosova nuk është pala që t’ju kërkojë të gjithëve që ky propozim të bëhet? Në politikë dhe në zgjidhjen e diçkaje që është në interesin tënd, nuk është asnjëherë ide e mirë të fillosh të gërmosh në mendjen e tjetrit. A është tjetri vërtet i interesuar? A e do ai vërtet diçka? Ndoshta jo dhe nëse do të hiqnim fuqitë e mëdha që janë me ne dhe do ta imagjinonim dialogun vetëm mes Serbisë dhe Kosovës, atëherë Serbia ndoshta nuk do të ishte ulur farë në tryezë, por do të kishte bërë diçka krejt të çmendur. Por, realiteti është se kemi mbështetje të fortë që të bëjmë një hap madhor drejt njohjes përfundimtare. Dhe ne nuk po e pranojmë këtë? Përse? Për çfarë arsye? Pyetja nuk është nëse kanë ata interes. Pyetja është a kemi ne interes apo jo? Mendoj se ata e kuptojnë se janë shumë të interesuar që kjo çështje të mbyllet njëherë e mirë. Si bëhet kjo? Duke humbur vëmendjen dhe duke krijuar situata apo duke bërë që të krijohen situata që më pas të bllokojnë, apo duke u përpjekur të qetësosh gjithçka, të japësh një gjë të vogël në këmbim të diçkaje më të madhe? Mendoj se zgjidhja është kjo e dyta. Nuk është shkencë, është logjikë e thjeshtë,” sqaroi Kryeministri.
Sipas Kryeministrit të Shqipërisë, nuk ka asgjë të keqe nëse Serbia do të mbështeste financiarisht Bashkësinë e Komunave Serbe.
“Serbia e ka humbur luftën dhe nuk ka vend të imagjinojë një hakmarrje ushtarake. Ka marrë fund kjo gjë! Kosova është njohur nga një komunitet vendesh që nuk do lejonin kurrë kthimin pas. Kurrë! Çfarëdo që të ndodhë! Kjo e para. E dyta, nëse Bashkësia krijohet sipas kuadrit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe është rezultat i një marrëveshjeje që bazohet aty, atëherë nuk do të jetë një hapësirë që të vijnë njerëz të armatosur dhe të thonë se janë anëtarë të asaj Bashkësie. Do të jetë një hapësirë që komunat të kenë vetë-menaxhim, të kenë mbështetje nga Beogradi. Pse jo? Kemi komunat në jug dhe lindje të pakicave greke. Ata do të ishin shumë të lumtur nëse Greqia do t’i mbështeste financiarisht. Pse jo? Është e rëndësishme të shohim nga e ardhmja dhe të bëjmë çdo gjë për ta afruar, sesa të mendojmë gjithnjë vetëm për të shkuarën. E shkuara ka kaluar,” deklaroi Rama.
I pyetur nga gazetarja Alice Taylor nëse Bashkimi Europian nuk është treguar i drejtë në qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri Rama u përgjigj kështu:
“Ne patëm një debat të zjarrtë kur BE-ja doli me deklaratë pas sulmit kriminal në veri. Ishte e gjitha për Kosovën. Ata na shpjeguan se e tillë është procedura e BE-së, Këshillit dhe deklarata ishte miratuar nga 27 vendet anëtare para se të ndodhnin ngjarjet, ndaj edhe e publikuan. I thamë se mund ta publikonin bashkë me një tjetër deklaratë që do të dënonte atë që kishte ndodhur, do të dënonte Beogradin për aktin e pajustifikueshëm të shpalljes së ditës së zisë. E pajustifikueshme! Kërkuam masa konkrete edhe ndaj Serbisë, jo thjesht dënim të aktit. Ata thanë se nuk mund të bëhej për shkak të kohës, sepse duhet shumë kohë për të bërë këto deklarata. Atëherë ne i thamë se nuk do të linjëzoheshim. Për herë të parë në 10 vite, ne nuk u linjëzuam me një deklaratë të BE-së. Nuk do thoja se BE-ja është treguar e padrejtë. Do të thoja se fatkeqësisht Kosova i ka dhënë BE-së shumë arsye që të tregohet më e ashpër me ta. Ndërsa Serbia e ka luajtur lojën me më shumë inteligjencë, një lojë e cila vetëm vijon, nuk ka mbaruar,” përfundoi Rama.
Ukraina thotë se goditi një depo nafte dhe objektiva të tjer...
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...
Incidenti në Kuvendin e Serbisë, Kamberi: Motoja “Duar...
Krasniqi: Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e V...
“Ai është një i papenduar” – për kë po diskutojnë Rovena dhe...
Xheneta – Lelës: Anisa u ka treguar Edit dhe Drilonit për rr...