Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin i solli Kosovës rritje të shkëmbimeve tregtare.
Në vitin 2022, vlera e importeve nga ky shtet arriti në 42 milionë euro, nga 22 milionë sa ishte në vitin 2020, kur dy vendet nuk kishin lidhje diplomatike.
Ngjashëm ndodhi edhe me eksportet – nga 85.000 euro në vitin 2020, ato u rritën në 783.000 euro më 2022, sipas të Dhënave të Doganave të Kosovës.
Kosova importon nga Izraeli kryesisht lëndë djegëse dhe produkte të plastikës, ndërsa eksporton kryesisht produkte të tekstilit.
Izraeli, në fundjavë, i shpalli luftë grupit militant të Hamasit në Rripin e Gazës, pas një sulmi të papritur të tij në territorin izraelit, më 7 tetor.
Kosova dhe Izraeli zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike në shkurt të vitit 2021.
Atyre iu parapriu e ashtuquajtura Marrëveshje e Uashingtonit, të cilën Kosova dhe Serbia e nënshkruan më 4 shtator të vitit 2020, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.
Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem në korrik të vitit 2021, në këmbim të njohjes së pavarësisë së saj nga Izraeli.
Por, ky veprim nxiti reagimin e palestinezëve dhe të disa shteteve me shumicë myslimane.
Ndonëse Shtetet e Bashkuara e njohën Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit në vitin 2017, palestinezët synojnë ta kenë Jerusalemin lindor kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.
Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, odat ekonomike të të dyja vendeve u zotuan për bashkëpunim në fushën e ekonomisë dhe të tregtisë.
Në vitin 2022, në Kosovë u hap Oda Ekonomiko Kosovë-Izrael, e cila nënshkroi më pas një memorandum bashkëpunimi me Odën Ekonomike të Kosovës.
Me qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të lidhjeve tregtare, në Prishtinë u hap edhe Korporata për Zhvillim dhe Investime Kosovë-Izrael (KIDIC).
Në ueb-faqen zyrtare të kësaj korporate thuhet se “KIDIC ofron një portë ideale për zhvillimin e biznesit”, ashtu si edhe “mundësi dhe bashkëpunim ndërmjet organizatave në Kosovë dhe Izrael”.
Sektorët që përmenden aty, përfshijnë atë të teknologjisë, mbrojtjes dhe sigurisë, përgjigjen ndaj katastrofave dhe emergjencave, agrikulturën, kërkimet mjekësore dhe eksport-importin.
REL-i pyeti në KIDIC për bashkëpunimet dhe investimet që mund të jenë bërë mes dy shteteve, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Sipas të dhënave që siguroi REL-i nga Banka Qendrore e Kosovës, investimet e huaja direkte nga Izraeli kapin shifrën e mbi 1.6 milion eurove.
Investimet, sipas BQK-së, janë bërë në sektorin e patundshmërisë dhe atë të tregtisë.
Në shkurt të këtij viti, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës njoftoi për një takim të mbajtur mes autoriteteve të Kosovës dhe atyre Izraelit, ku u prezantuan mundësitë ekonomike të Kosovës për investime nga komuniteti biznesor i Izraelit.
“Konkluzion i përbashkët i përfaqësuesve të të dyja vendeve ishte se ka shumë hapësirë për të bashkëpunuar dhe se dy shtetet duhet thelluar bashkëpunimin përmes vizitave dhe takimeve të ndryshme, që mundësojnë njohjen e mirëfilltë të bizneseve dhe konkretizojnë fushat e bashkëpunimit e investimit”, u tha në atë takim.
Izraeli shpalli gjendje lufte më 8 tetor, një ditë pasi u sulmua papritur nga militantët e grupit Hamas, të vendosur në Rripin e Gazës.
Autoritetet izraelite raportuan për më shumë se 1.200 persona të vrarë nga fundjava dhe për më shumë se 150 pengje të marra.
Në Gazë u vranë mbi 1.300 njerëz, ndërsa u zhvendosën rreth 338.000.
Autoritetet e Kosovës shprehën solidaritet me shtetin e Izraelit.
Presidentja Vjosa Osmani tha se është e “tmerruar nga sulmet e terroriste dhe vrasja e civilëve të pafajshëm në Izrael”.
Kryeministri Albin Kurti tha se është i shqetësuar me “krimet kundër civilëve” pas sulmit të grupit militant, Hamas, në Izrael.
“I bashkohem thirrjes së aleatëve për ndërprerjen e menjëhershme të këtyre veprimeve dhe mbështetjen e së drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur kundër terrorizmit, si dhe kërkesës për lirimin e menjëhershëm të pengjeve”, shkroi Kurti në platformën X, apo ish-rrjetin social Twitter.
Very concerned about the crimes against civilians & the rising death toll following the Hamas attacks in🇮🇱. I stand with our allies, urging an immediate halt to these acts, supporting Israel’s right to self-defense against terrorism, & demanding the immediate release of hostages.
— Albin Kurti (@albinkurti) October 9, 2023
Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi të enjten se ndeshja e Grupit I kualifikues për Euro 2024 mes ekipit kombëtar të Kosovës dhe Izraelit u shty për kohë të papërcaktuar, si pasojë e luftës së Izraelit me grupin militant, Hamas.
Hamasi në tërësi – ose në disa raste krahu i tij ushtarak – cilësohet si grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, si dhe nga fuqi të tjera.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...