Google ADS

“Hashim Thaçi, shqiponjë që pengon shumë koka politike”, Rama: Arsyeja pse u braktis në Hagë

13:10 | 12 Tetor 2023
A Z

Kryeministri Edi Rama foli sot dhe për ish-Presidentin Hashim Thaçi, i cili sipas tij është “një shqiponjë që pengon shumë koka politike edhe në kafazin e Hagës”.

Në seancën në Kuvend të dedikuar çështjes së Kosovës, Rama ritheksoi se rruga e vetme për të normalizuar situatën mes Kosovës e Serbisë është dialogu dhe koordinimi me aleatët ndërkombëtarë.

“Por, se duhet t’i përgjigjem si ka mundësi? Arsyeja e braktisjes ulëritëse të atyre në Hagë nga të gjithë ata që i kanë braktisur, në fakt si të gjitha arsyet e zvarritjeve të shqiptarëve në historinë e tyre është një tjetër, sa banale aq dhe koherente, me gjithë thelbin e qorr belasë politike që e përndjek shtetin shqiptar që nga viti 1912. E dini si e ka emrin? Urrejtje! Urrejtja për Hashim Thaçin si fitimtar i luftës që donte medoemos të fitonte dhe paqen. Po atë shprehjen të djegësh jorganin për një plesht e keni parasysh? Nuk ka kafshë më të keqe se njeriu kur humb arsyen dhe nuk ka egërsi të dytë si ajo e pleshtit të urrejtjes brenda njeriut. Hashim Thaçi natyrisht është një shqiponjë që edhe në kafazin e Hagës i pengon jo pak koka politike apo të politizuara shqiptarësh të mendojnë të lirë se si duhet ta fitojnë luftën diplomatike me Serbinë që u mund me armë dhe zgjuarsi diplomatike prej thuajse çerek shekulli nga Hashim Thaçi me shokë. Që ngritën botën në këmbë me ato pushkët e tyre, shumëkush andej e disa këtej janë gati të djegin për pleshtin e urrejtjes së tyre jo thjesht jorganin e sigurisë së Kosovës bashkë me jorganin e sigurisë së Shqipërisë, por të djegin dhe procesin e formësimit të plotë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, i cili kalon vetëm e vetëm përmes shtegut të vështirë të dialogut, normalizimit dhe paqes përfundimtare me Serbinë krah për krah me aleatët tanë, SHBA dhe BE. Asnjë shteg tjetër!

Për t’ja dalë këtij kryeqëllimi ekzistencial. Me këto plotëformimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nuk arrihet kurrë, përkundrazi shtyhet pafundësisht! Po të paktën është mirë që teoricienët dhe praktikantët e patriotizmit elektoral ta dëgjojnë këtu sot se për mua nuk ka nder më të madh se të jem i bashkëakuzuar me Hashim Thaçin si tradhtar në raport me Kosovën dhe nuk ka provë më të madhe se kjo për dritëshkurtësinë dhe papërgjegjshmërinë historike të përpiluesve të saj. Ata kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë fitohet duke zhgarravitur flamurin e UÇK-së, se lufta fitohet duke u izoluar nga aleatët e mëdhenj të Kosovës pa të cilët nuk do ta kishte fituar kurrë luftën e nuk do ishte njohur kurrë si shtet e fatkeqësisht kujtojnë se lufta diplomatike ndaj Kosovës fitohet duke nxitur armiqësi ndaj qeverisë së Shqipërisë, e pastaj ndaj meje personalisht”, tha Rama./gazetadita

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme