Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend, theksoi se gabimet që ka bërë Prishtina zyrtare si dhe viktimizimi diplomatik i Serbisë e kanë bërë të vështirë rolin e Shqipërisë për të ndihmuar në këtë çështje.
Sipas Ramës, ka disa në Prishtinë dhe Tiranë që nuk e kuptojnë dot se Shqipëria ka arritur që të ngrihet në një tjetër nivel ndërkombëtar dhe shihet si një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.
“Pozicioni i vetdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE dhe SHBA, si edhe vetë viktimizimi diplomatik i Serbisë në ato sy falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë, të cilën e kemi vazhduar në çdo rrethanë të mundshme. Këtë bëmë së fundmi edhe në samitin e Komunitetit Politik Evropian ku së bashku me Osmanin kemi folur me aktorët politikë për nevojën e një qëndrimi adekuat të BE-së ndaj këtij përshkallëzimi të rrezikshëm sepse Beogradi zyrtar mban një përgjegjësi të madhe, përderisa nuk e dënoi agresionin por e dënoi me flamurin kombëtar të zisë përderisa nuk shpalli menjëherë thirrjen për të hapur një hetim së bashku me të gjitha forcat e përfshira në procesin e normalizimit, pra me SHBA dhe BE, kështu e gjykuam dhe trajtuam ne shpërthimin e fortë paralajmërues të Banjskës.
Puna është se në Tiranë dhe Prishtinë ka disa që nuk duan ta kuptojnë se Shqipëria e sotme nuk është më ajo e djeshmja në arenën ndërkombëtare. Nëse sot ne respektohemi si të barabartë në çdo instancë dhe rrethanë, vlerësohemi për dinjitetin dhe qartësinë që tregojmë me fjalë dhe vepra, pyetemi nga të gjithë aktorët kryesore të komuniteteve euro atlantik, na konsultojnë rregullisht për problematikat rajonale, çmohemi si një vend serioz, të cilit i besohen role me rëndësi në tryezat kryesore ndërkombëtare. Më e fundit zgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut mes vetëm 15 vendeve të botës apo na dërgojnë mikpritje të rëndësishme samitesh të atij komuniteti…gjëra të paimagjinueshme deri disa vite më parë. Kjo nuk ndodh as unë vesh atlete nëpër samite as se ata që na besojnë nuk dinë ça bëjnë. Kjo ndodh vetëm sepse ne e kemi ngritur Shqipërinë në një nivel të ri, politikën tonë të jashtme në një stad të ri dhe pozicionin e shtetit tonë në rajon në një majë të re dhe shembullit, në fakt të kahershëm, të këtij vendi si faktor paqeje dhe stabiliteti rajonal i kemi dhënë një rrezatim të ri prej një anëtari të denjë të komunitetit euroatlantik, aktiv në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe interesit strategjik të paqes, stabilitetit dhe progresit në këtë rajon. Sa herë e kemi dëgjuar nga qeveritë paraardhëse ta thonë me krenari se Shqipëria është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Ndryshimi është se deri dje Shqipëria ishte faktor pasiv paqeje dhe stabiliteti dhe sot është më aktiv në rajon dhe kjo është vënë re gjithnjë e më qartë dhe shihet gjithnjë e më shumë me respekt nga bashkësia ndërkombëtare.”, u shpreh Rama./abcnews.al
Lexo edhe:
Rezoluta për Kosovën, Rama: Cili është qëllimi? Kujt ia adresojmë?
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...
Rutte flet me Erdoganin për situatën e sigurisë në Kosovë
Vera e ardhshme pritet ta gjej në skuadër të re Fisnik Aslla...
Programi “ALBAdapt”, Kumbaro: Kapitull i ri, përgatit Shqipë...
Lëkundje të forta tërmeti në Turqi