Google ADS

Zelensky thotë se SHBA-ja i ka premtuar se ndihma ushtarake do të jetë “konstante”

22:21 | 11 Tetor 2023
KRG

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ai ka marrë garanci nga Uashingtoni se ndihma ushtarake për Ukrainën do të vazhdojë të jetë “konstante dhe e pandërprerë”.

Kjo deklaratë e Zelenskyt erdhi pak kohë pasi ai u bëri thirrje aleatëve që ta armatosnin shtetin e tij në mënyrë që të mund të mbijetojë stinën e dimrit.

Kërkesat për armë ai i bëri gjatë vizitës së parë në selinë e NATO-s, që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar.

“Është bërë e qartë se Amerika do të vazhdojë t’i ofrojë Ukrainës ndihmë konstante dhe të pandërprerë që na duhet për mbrojtjen tonë”, tha Zelensky pas takimit në Bruksel me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Lideri ukrainas tha se me sekretarin Austin ka biseduar se si të forcohen aftësitë mbrojtëse të Ukrainës para dimrit, veçmas sa i përket “dronëve dhe raketave”.

“Jam mirënjohës ndaj të gjithë partnerëve për gatishmërinë e tyre të vazhdueshme për të ndihmuar mbrojtjen tonë”, tha presidenti ukrainas.

Zelensky tha se fokusi i shtetit të tij është që të forcojë mbrojtjen ajrore.

Shtetet perëndimore e kanë ndihmuar Ukrainën me armë të ndryshme që kur nisi lufta. SHBA-ja është mbështetësja kryesore e Ukrainës, pasi deri më tani i ka dërguar ndihma ushtarake në vlerë prej 44 miliardë dollarësh./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme