Afër 1.000 ukrainas kërkojnë të evakuohen nga Izraeli

19:09 | 11 Tetor 2023
KRG

Ambasadori i Ukrainës në Izrael tha se afër 1.000 shtetas të Ukrainës kanë kërkuar ndihmë në Ambasadën ukrainase në Tel Aviv për t’u evakuuar për në Ukrainë, pas shpërthimit të luftimeve midis Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit.

Ambasadori Yevhen Korniychuk i tha Radios Evropa e Lirë më 11 tetor se numri i ukrainasve që po kërkojnë të largohen është rritur dhe kjo gjë krijon një problem të ndërlikuar.

“Nuk kemi se ku t’i evakuojmë qytetarët. Ne nuk do t’i transportojmë njerëzit nga një luftë në një luftë tjetër”, tha ai. “Synimi ynë kryesor është që të largojmë sa më shumë njerëz në një periudhë të shkurtër kohore”, tha Korniychuk.

Nga e gjithë popullata rusishfolëse në Izrael, pothuajse gjysmë milion persona janë me origjinë ukrainase.

“Të gjithë këta persona ose kanë pasaportë ukrainase ose kanë të drejtë të kenë një pasaportë të tillë”, tha ambasadori Korniychuk, duke shtuar se për aq kohë sa Ukraina vazhdon luftën kundër pushtimit rus, Kievi nuk ka mundësi që të paguajë për fluturimet e këtyre persona.

Ai tha se 15.000 shtetas ukrainas janë regjistruar në Konsullatë, duke theksuar se këta janë persona që vetë kanë zgjedhur të regjistrohen. Sipas kësaj liste, 160 ukrainas punojnë në Gaza.

Më 7 tetor, grupi militant Hamas Hamasi nisi sulmin më të madh ndaj Izraelit në vite, duke e sulmuar nga toka, ajri dhe deti. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të ashpra dhe po vazhdon që ta bombardojë Gazën, territor ku jetojnë rreth 2 milionë banorë.

Që nga shpërthimi i dhunës, Izraeli ka thënë se mbi 1.200 persona janë vrarë, ndërkaq në Gaza është raportuar për mbi 1.000 të vrarë dhe mijëra të plagosur./REL/

Të ngjashme