Izraeli tha të mërkurën se ushtria e tij goditi gjatë natës 200 objektiva në Rripin e Gazës, ndërsa trupat izraelite janë grumbulluar pranë kufirit të Gazës para një ofensive të mundshme tokësore.
Numri i të vdekurve në palën izraelite nga sulmet e Hamasit që filluan të shtunën u rrit në 1,200 veta, kryesisht civilë, me 2,700 të tjerë të plagosur.
Zëdhënësi i Forcave izraelite të Mbrojtjes, nënkoloneli Jonathan Conricus tha se numri u rrit pas gjetjes së më shumë trupave, jo për shkak të luftimeve të vazhdueshme brenda Izraelit.
Ai tha në një videomesazh se Izraeli ka mbyllur çarjet kufitare të kryera nga luftëtarët e Hamasit dhe po ruan zonën nga afër.
Zëdhënësi gjithashtu mbrojti sulmet ajrore izraelite që kanë shkatërruar ndërtesa banimi, duke thënë se ato janë objektiva të ligjshme ushtarake, sepse Hamasi i vendos qëllimisht operacionet e tij në ndërtesa civile.
Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 263,000 njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftimeve dhe numri pritet të rritet.
Autoritetet palestineze thanë se të paktën 900 veta janë vrarë dhe 4,600 janë plagosur në Gaza.
Zëdhënësi Conricus tha se 360,000 rezervistë izraelitë po përgatiteshin për të kryer misionin që do të siguronte se “Hamasi në fund të kësaj lufte nuk do të ketë asnjë aftësi ushtarake me të cilën mund të kërcënojë ose të vras civilët izraelitë”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, u tha gazetarëve se një grup i vogël i forcave të posaçme të Shteteve të Bashkuara po punon me ushtrinë izraelite për të ndihmuar me planifikimin dhe me të dhëna nga shërbimet e zbulimit në kundëroperacionin izraelit kundër Hamasit.
“Ne gjithashtu kemi mundësitë për të vendosur me shpejtësi burime të tjera në rajon,” tha sekretari Austin.
Shtetet e Bashkuara dërguan gjithashtu anije dhe avionë ushtarakë në Mesdheun Lindor, që sipas zëdhënësit Conricus, është një mesazh parandalimi për t’u siguruar që konflikti me Hamasin të mos zgjerohet në një luftë rajonale.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken udhëton të mërkurën në Izrael për të dërguar një “mesazh solidariteti dhe mbështetjeje”, tha Departamenti i Shtetit.
Përveç izraelitëve, mes të vrarëve ka edhe shtetas nga vende të tjera. Australia, Brazili dhe Filipinet ishin ndër ato vende që konfirmuan vrasjen e shtetasve të tyre të martën.
Sabri Saidam, zëvendëssekretari i Komitetit Qendror të Fatahut, i tha kanalit televiziv satelitor në gjuhën arabe të qeverisë amerikane Alhurra, se situata humanitare në Rripin e Gazës është e pashembullt. Ai tha se me intensitetin e sulmeve ajrore izraelite, “nuk mendoj se do të mbetet gjë për tanket izraelite nëse ata vendosin të hyjnë në një betejë tokësore”.
Alon Liel, ish-diplomat izraelit dhe drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, i tha kanalit Alhurra se pas “poshtërimit dhe skenave të tmerrshme” nga sulmi i Hamasit, përgjigja izraelite do të vazhdojë.
“Ka kërkesa të forta dhe ka nevojë që qeveria të shpjegojë këtë disfatë dhe ta shndërrojë në fitore. Askush në udhëheqje nuk mendon aktualisht për ndërprerjen e sulmeve”, tha zoti Liel./voa
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...