Kurti: Dy vjet e gjysmë, kujdes për të kaluarën, inkurajim për të tashmen, investim për të ardhmen

23:12 | 10 Tetor 2023
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka listuar rezultatet e punës së qeverisjes së tij dy vjeçare.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se këto janë rezultate të një pune të gjatë, të madhe dhe metodike, shkruan Arbresh.info.

“Prishtina, mirëpret Manifestën 14, ngjarjen më të madhe kulturore dhe artistike në vend. Kosova, shtet i Xhudos, organizon për herë të parë Kampionatin e Hapur Evropian të Xhudos. Opera e Kosovës sjellë në skenë “La Traviata” të Verdit, shfaqjen më të madhe operistike të luajtur ndonjëherë te ne. Kosova, nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030, organizimit sportiv më të madh në historinë e vendit. Kështu duken kryetitujt mbi kulturën, artin dhe sportin në dy vjet e gjysmë të qeverisjes sonë.”, ka shkruar Kurti.

“Kemi ndarë afër 15 milionë euro për mbështetje direkte në kulturë. Deri në fund të vitit përkrahim organizatat dhe artistë të pavarur me mbi 6 milionë euro, 180% më shumë sivjet sesa ishin përkrahur në vitin 2019. Buxheti për librin u gjashtëfishua nga 160 mijë euro në 1 milion. Themeluam institucionin e Operës së Kosovës. “, tha ai.

Ai ka shkruar edhe për punën në fushën e sportit.

“Sportin e trajtuam si prioritet shtetëror, duke rritur mbështetjen financiare për 200%. Tash e një vit, po zbatojmë programin pesë vjeçar “Kosova, Shtet i Xhudos”, të cilit ia kemi dedikuar 12 milionë euro. Dhjetë ndërtesa të infrastrukturës për sport, kulturë dhe rini janë finalizuar kurse 18 tjera janë në ndërtim e sipër. Ndamë 15 milionë euro për Stadiumin e Qytetit të Gjilanit, që më në fund po bëhet. Jemi duke e zbatuar planin investiv pesë vjeçar në infrastrukturën e futbollit që përfshin 27 stadiume anekënd vendit.”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, ai ka folur për restaurimet.

“Krahas ndërtimit të së ardhmes, me zellin e njëjtë jemi kujdesur për të kaluarën, për trashëgiminë, për historinë e vonshme, për historinë e lashtë. Përuruam Lokalitetin Arkeologjik që dëshmon se Prizreni është për tetë shekuj më i lashtë sesa është menduar fillimisht. Për dy vjet e gjysmë kemi restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë kulturore, 20 janë në proces, e mbi 70 tjera pritet të fillojnë së shpejti – më shumë se në dhjetë vitet pararendëse së bashku.”, tha shefi i ekzekutivit.

“Punë. Përditë.”, përfundoi ai./Arbresh.info./

 

Të ngjashme