Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të vizitojë Izraelin në një mision urgjent për të treguar mbështetjen e SHBA-së pas sulmeve të militantëve palestinezë të Hamasit ndaj Izraelit, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit.
Sipas DASH-it, Blinken do të vizitojë Izraelin në ditët në vijim për të dërguar një mesazh të solidaritetit dhe mbështetjes së SHBA-së për Izraelin.
Ai po ashtu do të flasë për “burimet shtesë që ne mund t’iu japim”, tha DASH-i.
Njoftimi erdhi teksa presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dënoi sulmet e grupit militant palestinez, Hamas, ndaj Izraelit, duke i cilësuar si sulme “të liga”, dhe tha se Uashingtoni është i gatshëm të dislokojë më shumë asete ushtarake në rajon.
Grupi militant palestinez ka kryer mizori përfshirë vrasje të familjeve të tëra dhe përdhunim të grave, por ka raportime “të tmerrshme për vrasjen e foshnjave”, tha Biden nga Shtëpia e Bardhë.
“Ky është një akt i ligësisë së pastër”, tha lideri amerikan.
Biden konfirmoi se të paktën 14 amerikanë janë vrarë dhe një numër tjetër janë kapur pengje nga Hamasi, i cili ka kërcënuar se do të vrasë pengjet nëse Izraeli nuk paralajmëron civilët para se të sulmojë Gazën.
Biden tha se SHBA-ja do ta mbështesë Izraelin “sot, nesër, siç kemi bërë gjithmonë”. Ai paralajmëroi çdo armik të Izraelit që të mos tentojë të përfshihet në dhunë, që duket se është mesazh drejtuar Iranit, që mbështet Hamasin.
Adresimi i presidentit amerikan erdhi pasi ai dhe nënpresdentja Kamala Harris, zhvilluan një bisedë prej një orë e gjysmë me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, për “mbështetjen për Izraelin”.
Pas nisjes së sulmit të befasishëm nga Hamasi më 7 tetor, SHBA-ja i ka dërguar Izraelit ndihmë të re ushtarake, dhe po ashtu ka urdhëruar që avionmbajtjësja më e madhe të dislokohet afër Izraelit.
Biden tha se është i gatshëm të dërgojë “asete shtesë” nëse duhet për të treguar mbështetjen që Uashingtoni ka për aleatët e tij dhe për të rritur praninë amerikane në rajonin e përfshirë nga tensionet.
“SHBA-ja është e gatshme të rrisë praninë ushtarake në rajon dhe të rrisim parandalimin”, tha Biden duke iu referuar dërgimit të avionmbajtëses në lindje të Mesdheut. “Ne jemi të gatshëm të dërgojmë asete shtesë”.
Që nga sulmi i befasishëm i Hamasit, në Izrael dhe Gaza janë vrarë afër 2.000 persona./rel/
Asociacioni “do të jetë” kusht edhe për BE, thotë Guerot
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Haradinaj: Anëtarësimi direkt në NATO është domosdoshmëri pë...
Reagon Ana përmes një postimi pas daljes nga “Big Brother”
Ellek: Pres që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje
Ukraina humbi 40 për qind të territorit që kontrollonte në K...