Finlanda thotë se “një aktivitet i jashtëm” dëmtoi gazsjellësin

17:32 | 10 Tetor 2023
E.K

Një gazsjellës nënujor dhe linjat e telekomunikacionit që lidhin Finlandën me Estoninë nën Detin Baltik, është dëmtuar me gjasë nga një akt i qëllimshëm, tha Qeveria finlandeze të martën.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolntenberg, tha se aleanca po ndan informacione lidhur me dëmtimin në gazsjellës dhe tha se aleatët janë të gatshëm të mbështesin Finlandën.

Gazsjellësi Balticconnector u mbyll të dielën pas shqetësimeve se kishte rrjedhje të gazit nga një vrimë në tubacionin e gjatë prej 77 kilometrash. Operatori finlandez, Gasgrid, tha se dëmi do të marrë muaj kohë që të riparohet.

“Ka të ngjarë që dëmi në gazsjellës dhe në linjat e komunikimit të jetë rezultat i një aktiviteti të jashtëm. Ende nuk është i qartë shkaku i dëmtimit, hetimi po vazhdon në bashkëpunim midis Finlandës dhe Estonisë”, tha presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, përmes një deklarate.

“Rënia e presionit në gazsjellës ishte e shpejt, që është tregues se nuk ka qenë një dëm i vogël. Por, shkaku ende nuk dihet”, tha një zyrtar për energji në Baltik që ka lidhje me situatën. Megjithatë, ai foli për Reuters në kushte anonimiteti.

Gazsjellësi midis Inkos në Finlandë dhe Paldiski në Estoni kalon përmes Gjirit të Finlandës, që shtrihet drejt ujërave ruse dhe përfundon në portin e Shën Petersburgut.

Autoritetet kanë thënë se të gjitha shkaqet e mundshme po hetohen, përfshirë sabotimin.

Më 2022, gazsjellësi Rrjedha Veriore, që kalon nën Baltik dhe lidh Rusinë me Gjermaninë, u dëmtua nga shpërthimet. Autoritetet thanë se shpërthimet janë shkaktuar nga akte të qëllimshme të sabotimit.

Në kohën kur u vërejt rënia e presionit, gazsjellësi – që transporton gaz në të dyja anët varësisht nga kërkesa – ishte duke transportuar rreth 30 gigavat orë gaz në ditë nga Finlanda në Estoni./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme