Google ADS

Rrahmani: Do ta lë shpirtin në fushë për këtë fanellë, sepse është nder dhe krenari ta kesh në trup

16:01 | 10 Tetor 2023
KRG

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot seancën e dytë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Andorrës, e cila zhvillohet, të enjten, në orën 20:45, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024. Njëherësh kjo ishte stërvitja e fundit në Kosovë, pasi nesër në mëngjes Dardanët udhëtojnë drejt Andorrës.

Për dallim nga stërvitja e djeshme, e cila më shumë shërbeu si rigjenerim për lojtarët, këtë herë u punua me intensitet të plotë, teksa përzgjedhësi Gliha punoi edhe në aspekte teknike-taktike, përcjell Arbresh.info.

Ndërkohë, Albion Rrahmani dhe Qendrim Zyba janë shprehur optimistë për fitoren e parë në këtë fushatë kualifikuese.

“Gjendja e ekipit është jashtëzakonisht e mirë. Shpresoj se të gjithë bashkëlojtarët të jenë në fizikun 100 përqind. Na pret një ndeshje e vështirë, por besoj që me kualitetin që kemi do të marrim rezultatin pozitiv dhe pse jo tre pikë. Është ndjenjë e veçantë ta kesh barrën kryesore te kombëtarja, të cilën e kam ëndrruar me vite që të jem pjesë e saj. Jam shumë krenar që tashmë do të kem hapësirë që ta ndihmojë kombëtaren. Besoj që në këtë ndeshje të shënoj dhe ta ndihmoj ekipin. Shpresoj që gjithçka të shkoj mirë. Unë do ta lë shpirtin në fushë për këtë fanellë, sepse është nder dhe krenari ta kesh në trup”, ka thënë Albion Rrahmani, i cili po kalon formë të shkëlqyeshme me ekipin e tij, Rapid Bukuresht dhe që pritet të ketë hapësirë për t’i treguar vlerat e tij për shkak të mungesës së Vedat Muriqit. /Arbresh.info/

Lexo edhe:

Rrahmani e Zyba krenarë për fanellën dardane, optimistë për fitore kundër Andorrës

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme