Shaip Kamberi rizgjidhet kryetar i Partisë për Veprim Demokratik

23:16 | 6 Tetor 2023
K.B

Shaip Kamberi është zgjedhur sërish kryetar i Partisë për Veprim Demokratik në Serbi.

Kamberi ka falënderuar delegatët për besimin e dhënë.

“Bashkë me mua sot u zgjodhën edhe 3 nënkryetar, Sekretari i përgjithshëm i partisë dhe Sekretari organizativ i Partisë për Veprim Demokratik. Nga sot, unë, bashkë me strukturat e reja të partisë qëndroj para jush me një ndjenjë të thellë qëllimi dhe një përkushtim të thellë ndaj vlerave tona të përbashkëta të gjithëpërfshirjes, rezistencës, mosdorëzimit, emancipimit e përparimit. Në këtë moment kritik, ne do të përballemi me sfida të jashtëzakonshme që kërkojnë udhëheqje vizionare”, ka shkruar ai.

Tutje, ai ka thënë se subjekti i tij politik duhet të refuzojë që t’i përgjigjet çfarëdo provokimi që mund të imponohet.

“Sepse jemi në të drejtën tonë të detyruar të sigurojmë një të ardhme më të ndritshme dhe më të barabartë për Shqiptarët e Luginës. Angazhimi ynë kryesor do të jetë të mbajmë parimet mbi të cilat u themelua partia jonë. Ne do të vazhdojmë ruajtjen dhe avancimin e substancës kombëtare shqiptare në këtë rajon. Të mbrojmë demokracinë e përfaqësimin. Të palëkundur për drejtësi, barazi, mundësitë ekonomike dhe identitetin e kulturën tonë shqiptare”, ka shtuar ai.

Ai ka premtuar që bashkarisht do të angazhohet që t’i kontribuojë unitetit brenda partisë e mes shqiptarëve të Luginës.

“Shpesh kërkojnë të na ndajnë e copëtojnë, madje edhe ia kanë arrit përmes formave shantazhesh tek të ligshtit. Por le të kujtojmë se forca jonë qëndron në solidaritetin tonë, në besimin mes nesh dhe brenda nesh. Sepse PVD është hapësira ku mund të gjesh fuqinë për të guxuar, për të rrezikuar, për t’u rritur e për t’u vendosur në një raport partneriteti e jo inferioriteti me politikën”, ka thënë Kamberi.

“Kjo më jep fuqi, që bashkë me strukturat e partisë, të punojmë pa u lodhur për të kapërcyer çdo ndarje dhe për të na bashkuar në qëllimin tonë të përbashkët. Për Lirinë, që ka qenë dhe është brenga që e formësoi vizionin tonë jo vetëm si imperativin e një kohe, por si histori që ka prekur çdo shqiptarë të Luginës së Preshevës. Pra, të jetësojmë lirinë për të luftuar për të drejtat tona kombëtare, drejtat tona kolektive e individuale, për të luftuar për idetë tona, për të nxjerrë në pah projektet tona, për të jetësuar përpjekjet tona”, ka potencuar ai.

Në fund, ai ka shkruar se “mund të mos biem gjithmonë dakord për çdo çështje, por le të dëgjojmë njëri-tjetrin, të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të ndërtojmë konsensus për atë çka i pret shqiptarët të Luginës”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme