Google ADS

“Politico”: Në samitin e Granadas s’ka vend për dialogun Kosovë-Serbi

12:01 | 5 Tetor 2023
A Z

Për samitin e liderëve evropianë që mbahet sot në Granada të Spanjës, ku marrin pjesë përfaqësuesit e 47 shteteve, ka shkruar edhe mediumi prestigjioz “Politico” i cili në fokus të ngjarjeve ka edhe zhvillimet e fundit në Kosovë. Po ashtu aty përmendet se në samit janë dhe liderët e Kosovës dhe Serbisë, por nuk pritet takim mes tyre.

“Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë do të marrin pjesë, ndërsa zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe të Kosovës kanë thënë se Komuniteti Politik Evropian nuk është forumi i duhur për dialog, pasi duhen diskutime ndërmjet presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili nuk do të marrë pjesë në këtë forum”, ka shkruar Politico.

Kosova siç thuhet më tej në shkrimin e këtij mediumi, merr pjesë me presidenten Vjosa Osmanin, e cila sipas “Politico” mban funksion kryesisht ceremonial.

Kujtojmë se në këtë samit temë kryesore do të jetë zgjerimi i Bashkimit Evropian, ndërsa përveç anëtarëve të BE-së, në samit do të marrin pjesë ndër të tjera liderët e Ballkanit Perëndimor, Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, Turqia, Armenia, Azerbajxhani.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel u tha gazetarëve në Bruksel se zgjerimi i BE-së do të jetë ndër temat kryesore të samitit të Komunitetit Politik Evropian.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar dje për në Spanjë, me ftesë të presidentit të Këshillit të Bashkimi Evropian, Charles Michel dhe të kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez.

Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, presidentja Osmani ka thënë se do të zhvillojë edhe diskutime me liderë evropianë “për t’i informuar lidhur me agresionin e Serbisë kundër Kosovës dhe për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta”./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme