Antwerp nuk i mjafton goli i Mujës dhe mposhtet nga Shakhtar

21:31 | 4 Tetor 2023
E.H

Goli i Arbnor Mujës për Royal Antwerp ka qenë i pamjaftueshëm për ta mposhtur Shakhtar Donetsk.

Në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve në Champions League skuadra ukrainase ka fituar me rezultat 3-2. Madje nuk ka çuar peshë aspak fakti që ndeshja është zhvilluar në tokën belge.

Belgët kanë kaluar në epërsi qysh në minutën e tretë me golin e ish-futbollistit të Dritës e madje edhe e kanë dyfishuar epërsinë pas njëzet minutash kur ka realizuar Balikwisha, duke bërë që pjesëloja e parë të mbyllet me avantazh të dyfishtë. Mirëpo ukrainasit kishin bërë të tjera llogari.

Pas pushimit pesëmbëdhjetë minutësh ka ndodhur rikthimi i madh i Shakhtar Donetsk.

Sikan (48′, 76′) dhe Rakitskiy (71′) kanë shënuar për skuadrën kampione të vendit që prej më shumë se një viti gjendet në luftë të paprovokuar me Rusinë.

Antwerp ka pasur rastin ta barazojë rezultatin në minutën e tetë të kohës shtesë, por Alderweireld nuk është treguar i saktë nga pika e bardhë.

Me këtë fitore skuadra ukrainase barazohet me pikë me Barcelonën e Porton që ndeshen sonte, ndërsa skuadra belge mbetet e fundit në grup./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme