Millan Radoiçiq merret në pyetje në Serbi

17:04 | 3 Tetor 2023
E.K

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se ka marrë në pyetje Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.

Në njoftim thuhet se ai u intervistua nën dyshimet se me disa persona të panjohur, kanë kryer vepra penale që lidhen me “prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse” si dhe me “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi më herët se ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Radoiçiqit dhe se atij i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

MPB-ja serbe tha se Radoiçiq u dërgua në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal, por nuk dha më shumë detaje.

Më 29 shtator, Radoiçiq, përmes një letre të lexuar nga avokati i tij, Goran Petronijeviq, mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.

Në këtë fshat të komunës së Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – por dha dorëheqje nga kjo pozitë në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin.

Çfarë tha tjetë Prokuroria serbe?

Në deklaratën e Prokurorisë thuhet se i dyshuari e ka mohuar kryerjen e veprave të përmendura penale.

Shtohet se pas seancës dëgjimore, Prokuroria i propozoi gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd që t’i caktojë masën e paraburgimit të dyshuarit, për shkak të rrezikut të arratisjes.

Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se “ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje e Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.

Më 30 shtator, siç njoftoi MPB-ja e Serbisë, ai dha deklaratë “në cilësinë e qytetarit” për “rrethanat e ngjarjes tragjike në Banjskë”.

Atë ditë u tha se Prokuroria e Lartë Publike në Beograd do të ndërmarrë masa dhe veprime të mëtutjeshme procedurale në kompetencë të saj.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet përgjegjëse të Kosovës, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksionit terrorist” në Banjskë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës konfirmoi për REL-in se ka nisur hetimet për sulmin në Banjskë dhe se, aktualisht, është në proces të mbledhjes së informatave dhe dëshmive në lidhje me këtë rast.

BE: Kosova ka mandat për hetime, Serbia të bashkëpunojë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha të hënën se autoritetet e Kosovës kanë mandat për hetimin e sulmit në Banjskë dhe se Serbia e ka obligim të bashkëpunojë, pa kushte.

Ai tha se BE-ja është në pritje të rezultateve të plota të hetimeve, që ta ketë një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur.

Në bazë të asaj, shtoi Stano, vendet anëtare do të marrin vendime, përfshirë edhe ndonjë masë të mundshme kundër Serbisë.

As Prokuroria e Serbisë, as Ministria e Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjes të hënën nëse do të bashkëpunojnë me Kosovën në hetime.

Për bashkëpunimin mes dy vendeve është përgjegjës Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX.

Në ueb-faqen e këtij misioni thuhet se “EULEX-i mbështet Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, duke lehtësuar shkëmbimin e informacioneve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Interpolit, Europolit apo Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë”.

Ngjashëm, as EULEX-iu nuk iu përgjigj interesimit nëse do të ndërmjetësojë mes institucioneve të Kosovës dhe Serbisë në lidhje me këtë rast.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme