Google ADS

Sylvinho e Zabaleta takojnë dy lojtarët shqiptarë që luajnë në Spanjë

15:59 | 2 Tetor 2023
D.H

 Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvio Mendes Campos Junior ka zhvilluar takime pune këtë fundjavë me dy lojtarët e Kombëtares, Ivan Balliu dhe Keidi Bare.

Tekniku ka udhëtuar drejt Spanjës së bashku me ndihmësin e tij, Pablo Zabaleta, ku fillimisht janë ndalur në Madrid për të ndjekur ndeshjen Rayo Vallecano-Mallorca, që mbaroi me rezultatin 2-2 dhe ku mbrojtësi shqiptar Balliu luajti për 90 minuta.

Pas ndeshjes, Sylvinho dhe Zabaleta janë takuar me futbollistin shqiptar dhe kanë diskutuar për formën e tij dhe për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares në muajin tetor ndaj Republikës Çeke dhe Bullgarisë.

Më pas, dy teknikët janë ndaluar edhe në Barcelonë, ku janë takuar me mesfushorin Keidi Bare, i cili aktivizohet me ekipin katalanas të Espanyol dhe kanë diskutuar gjithashtu me të për impenjimet e ardhshme të Kombëtares në kualifikueset e Euro 2024.

Trajneri kuqezi ka zhvilluar një tur takimesh gjatë javëve të fundit me lojtarët e Kombëtares në kuadër të përgatitjeve për grumbullimin e radhës që do të nisë më 8 tetor 2023. /Telegrafi/ 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme