Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, i mohoi akuzat e autoriteteve të Kosovës se Serbia, përmes sulmit në Banjskë, ka synuar aneksimin e veriut të Kosovës.
“Ushtria serbe është një organizatë serioze, e fortë, që nuk toleron gënjeshtra”, tha Mojsilloviq në një konferencë për gazetarët në Beograd.
“I mohoj të gjitha akuzat e bëra nga Prishtina”, theksoi ai.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të dielën se Serbia ka planifikuar aneksimin e veriut të Kosovës, përmes sulmit në Banjskë.
Më 24 shtator, policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur në këtë fshat të komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.
Sveçla tha se Kosova ka dëshmi se grupet e armatosura janë përgatitur dhe stërvitur në bazën stërvitore ushtarake afër Jagodinës në Serbi, si dhe në Kopaonik.
U publikuan po ashtu fotografi dhe video, që, sipas policisë së Kosovës, janë incizuar nga dronët dhe janë sekuestruar nga grupi i armatosur në Banjskë.
Serbia i mohon akuzat e Kosovës se është e përfshirë në këtë sulm, të cilin autoritetet kosovare e cilësuan si akt terrorist.
Përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiq, i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
“Radoiçiq nuk ishte në bazën ‘Pasulanske Livade'”
Mojsilloviq e mohoi se Radoiçiq ka marrë pjesë në stërvitje në bazën “Pasulanske Livade”, afër Jagodinës, në Serbinë qendrore.
“Millan Radoiçiq nuk ka marrë pjesë në stërvitjet në ‘Pasulanske livade’, nuk ka gjuajtur asnjë plumb, nuk ka gjuajtur asnjë granatë…”, tha ai.
“Në disa raste ai është ftuar në stërvitje, por nuk është përgjigjur. E, çfarë bën Radoiçiq në pronën private, nuk është çështje e ushtrisë serbe”, shtoi Mojsilloviq.
Ai tha se që nga viti 2021, “persona nga Kosova dhe Metohia” janë ftuar në stërvitje të rregullta të rezervistëve të Forcave të Armatosura të Serbisë.
Por, “një numër shumë i vogël – rreth 19 për qind – i rezervistëve nga Kosova u përgjigjet thirrjeve për stërvitje ushtarake”, tha ai.
“Në ‘Pasulanske Livade’ ka pasur stërvitje me njësi të ndryshme rezervistësh nga vise të ndryshme të Serbisë dhe ka pasur njerëz edhe nga ‘Kosova dhe Metohia'”, shtoi gjenerali i Ushtrisë serbe.
Sipas Mojsilloviqit, stërvitjet e forcave rezervë të ushtrisë – të cilave u nënshtrohen të gjithë shtetasit nga mosha 18 deri në 60 vjeç – janë “të planifikuara dhe të organizuara” dhe se kryhen në përputhje me ligjin.
Ai tha se, që nga viti 2019, në trajnime ftohen personat mbi 30 vjeç, që nuk kanë shërbyer në ushtri, pasi që nga viti 2011 në Serbi nuk ka shërbim të detyrueshëm ushtarak.
Sipas gjeneralit serb, është “e drejtë dhe obligim” i qytetarëve që t’i përgjigjen thirrjes për stërvitje ushtarake.
Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën si territor të sajin, edhe pse vendi është i pavarur nga viti 2008.
“Shqetësim i panevojshëm” për dislokimin e ushtrisë
Mojsilloviq tha se deklaratat e bashkësisë ndërkombëtare dhe të Prishtinës zyrtare që shprehin shqetësim për praninë e shtuar të ushtrisë dhe armatimit serb rreth kufirit me Kosovën, janë “të panevojshme”.
“Dua t’ju informoj se nuk ka pasur ngritje të gatishmërisë së plotë luftarake të Forcave të Armatosura të Serbisë, por vetëm prani dhe angazhim të shtuar të njësive”, tha ai.
Shtoi se “pas shpërthimit të krizës së sigurisë”, më 24 shtator, Ushtria serbe e rriti praninë e saj në “zonën e sigurisë tokësore dhe në perimetrin rreth vijës administrative”, ku më 25 shtator “ishin 8.350 pjesëtarë të ushtrisë”.
Sot në këtë linjë, tha Mojsilloviq, janë “më shumë se dyfish më pak ushtarë”.
Në konferencën për media ishte i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq.
Ai tha se kundër Forcave të Armatosura të Serbisë po zhvillohet “një fushatë e vazhdueshme” sa u përket “numrave dhe aktiviteteve të saj, përkatësisht lëvizjes dhe dislokimit të njësive në territorin e vendit tonë”.
“Të njëjtën e konsiderojmë si krejtësisht të papërshtatshme, të papërgjegjshme dhe e refuzojmë si të pasaktë – pra absolutisht të pavërtetë”, tha Vuçeviq.
Më 29 shtator, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë që t’i tërheqë trupat e saj nga kufiri me Kosovën, duke e cilësuar këtë veprim si “një zhvillim shumë destabilizues”.
BE-ja ia dërgoi të njëjtën thirrje Serbisë një ditë më vonë, përmes shefit të diplomacisë, Josep Borrell.
Bashkëpunimi me KFOR-in “i mirë dhe i vazhdueshëm”
Vuçeviq, po ashtu, tha se bashkëpunimi i Forcave të Armatosura të Serbisë me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, është “i mirë dhe i vazhdueshëm” dhe në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.
“Ai bazohet në respektin e ndërsjellë dhe zhvillohet në mënyrë korrekte”, tha ministri serb.
Ai tha se nuk ka ndodhur kurrë që Serbia ta ndërpresë komunikimin me KFOR-in.
Tha, po ashtu, se ushtria serbe nuk ka hyrë kurrë në Kosovë.
“Nëse ushtria serbe merr një urdhër të tillë nga presidenti si komandant i përgjithshëm – që njësitë e saj të hyjnë në territorin e Kosovës si pjesë e Serbisë – ushtria do ta kryejë atë detyrë me efikasitet, profesionalizëm dhe sukses. Madje, edhe atëherë, njësitë dhe komandat e KFOR-it do të njoftoheshin paraprakisht”, tha Vuçeviq.
“Deri më sot nuk na është dashur të marrim një vendim të tillë dhe Serbia do të bëjë gjithçka që një zhvillim i tillë të mos ndodhë në të ardhmen, për të ruajtur paqen dhe për të kërkuar zgjidhje politike”, shtoi ai.
Sipas tij, Serbia beson se është e rëndësishme që KFOR-i të ketë rol sa më domethënës në Kosovë, veçanërisht në zonat ku jetojnë serbët. Ai tha, po ashtu, se Serbia e mbështet vendosjen e njësive shtesë të KFOR-it në Kosovë.
BE: Projektligji i Qeverisë së Serbisë për përndjekjet në Ko...
Komentet e Biden rrezikojnë fushatën e Kamala Harris
Rama: Rrugicat e pazarit të Gjirokastrës së rilindur zgjohen...
Shoqata e Onkologeve të Kosovës organizon aktivitet në kuadë...
Komentet e Biden rrezikojnë fushatën e Kamala Harris
Pentagoni thotë se një “numër i vogël” ushtarësh koreanoveri...