Google ADS

Nju Jork, hotelet mund të bëhen edhe më të shtrenjta

23:35 | 1 Tetor 2023
E.G

Nju Jorku ka qenë prej dekadash një destinacion popullor, megjithëse i shtrenjtë, për turistët vendas dhe të huaj. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Aron Ranen, tashmë dhomat e hoteleve në këtë qytet mund të bëhen edhe më të shtrenjta, për shkak të rregullave të reja për dhënien e hapësirave me qira.

“Do të shohim tani apartamentin tim që e jap me qira për periudha të shkurtra, këtu në South Slope, Bruklin”, thotë Tricia Toliver, e cila e jep shtëpinë me qira nëpërmjet rrjetit Airbnb.

Kur Nju Jorku ndryshoi në fillim të shtatorit politikën për qiratë aftashkurtra, Tricia Oliver, ashtu si shumë persona në qytet, që japin shtëpitë me qira nëpërmjet rrjetit Airbnb, e hoqi nga kjo platformë njoftimin për apartamentin e saj. Përpara se të bëhej ky ndryshim i rregullave, zonja Toliver thotë se fitonte rreth 3 mijë dollarë në muaj nga dhënia e shtëpisë me qira.

“Ishte një e ardhur e mirë shtesë dhe bazuar tek kjo mora vendimin të dilja në pension”, thotë zonja Toliver.

Si zonja Toliver, edhe pronarët e tjerë të shtëpive që jepeshin me qira, përballen tashmë me ligje të reja, si p.sh. nuk lejohet më dhënia me qira për një periudhë më të shkurtër se 30 ditë. Zonja Toliver thotë se këto ndryshime do të kenë ndikim të madh.

“Nuk mundem ta regjistroj tek bashkia pasi është rezidencë më vete. Ligjet e reja kërkojnë që të jetoj këtu në të njëjtën hapësirë me qiramarrësit dhe të mos ketë ndarje me brava të brendshme… Tani duhet t’i bëj llogaritë me shumë kujdes, pasi do të kem më pak të ardhura në të ardhmen”, thotë ajo.

Sipas bashkisë së Nju Jorkut, “regjistrimi u hap rrugën pronarëve që zbatojnë ligjet e hershme të qytetit dhe mbron vizitorët nga mjediset e paligjshme dhe të pasigurta, ndërkohë që i jep fund mjediseve që jepen me qira afatshkurtër në mënyrë të paligjshme”.

Kritikët thonë se qyteti po dorëzohet përpara trysnisë së industrisë së hotelerisë dhe po pakëson opsionet për një qëndrim më ekonomik për vizitorët. Edhe pa këto ndryshime, tregu i mjediseve të dhëna me qira për periudha të shkurtra ishte në rënie.

“Tregu i objekteve me qira afatshkurtër mund të bjerë me 50%-70%. Dhe në Nju Jork në veçanti, hotelet pritet të përfitojnë nga kjo, duke patur më shumë kërkesë, e cila do të rrisë çmimet”, thotë profesor Sean Hennessey, nga Qendra për Mikpritjen “Jonathan M. Tisch”, në Universitetin e Nju Jorkut.

Ai mendon se edhe qytete të tjera do të miratojnë rregulla të ngjashme.

“Mendoj se do të përhapet në qytete të tjera, pasi këto qytete komunikojnë me njëri-tjetrin për të përmirësuar praktikat e tyre. Dhe tregjet e ngarkuara urbane kanë nevojë për rregulla të forta për një fenomen relativisht të ri”, thotë profesor Hennessey.

Në San Françisko dhe në Santa Monika të Kalifornisë janë vendosur tashmë kufizime ndaj mjediseve afatshkurtra me qira, ashtu siç ka ndodhur edhe në Amsterdam dhe në Londër.

Por zyrtarët e platformës së mjediseve me qira Airbnb thonë se nuk mendojnë se ligje të tilla do të shtrihen edhe në qytete të tjera.

“Ligjet e qytetit Nju Jork janë të bazuara në një përqasje shumë arkaike dhe të vjetëruar. U themi pronarëve të shtëpive me qira në mbarë botën se do të vazhdojmë të bashkëpunojmë nga afër me bashkitë dhe qeveritë në mbarë botën. Nuk mendojmë se do të shtrihen në qytete të tjera rregullat e Nju Jorkut”, thotë Nathan Rotman, drejtues në kompaninë Airbnb për pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadanë.

Megjithëse disa mendojnë se nga kjo do të përfitojnë hotelet, që do të marrin kështu një pjesë më të madhe nga fitimet në tregun prej miliona dollarësh të qirave afatshkurtra në Nju Jork, vetë nju jorkezët shpresojnë se me rregullat e reja do të ketë më shumë apartamente të disponueshme për qira afatgjata dhe ndoshta edhe një rënie në çmimin e qirave./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme