Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bashkë me drejtorin e Përgjithsëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha kanë mbajtur sot një konferencë për media, një javë pas rënies së heroit, Afrim Bunjaku nga sulmi në veri të Kosovës, me ç’rast kanë dhënë detaje për sulmin terrorist që u zhvillua më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Në këtë konferencë, Sveçla ka prezantuar pamje të reja duke thënë se çdo ditë kanë dëshmuar me fakte lidhjen e Serbisë me sulmin ne Bansjkë të Zveçanit, shkruan Arbresh.info.
Tutje ai tha se ky organizim terrorist ka pasur për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës.
“Çdo ditë kemi dëshmuar me fakte të patjetërsueshme lidhjen e shtetit serb, Vuçiqit, me sulmin në fshatin Banjskë të Zveçanit. Ky organizim terrorist kishte vetëm një qëllim: aneksimin e veriut të Republikës së Kosovës. Me qëllim realizimin e këtij qëllimi, aneksimin e veriut të Kosovës, institucionet e Serbise kanë organizuar kapacitetet e saj ushtarake, logjistike dhe financiare. Në vazhdimësi kemi njoftuar se ky shtet ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet, por këto ditë kemi ofruar dokumente të rëndësishme që dëshmojnë këtë gjë, ndërkaq sot do të shohim me video dhe fotografi jo vetëm sulmin terrorist në Banjskë, por edhe përgatitjet e këtij grupi nga shteti i Serbisë në qendrat zyrtare të trajnimit.”, tha Sveçla para gazetarëve.
Ndër të tjera, ministri Sveçla tha se në këtë “tentim aneksim” të veriut të Kosovës janë angazhuar drejtpërdrejt Presidenti Aleksandar Vuçiq, ministri i mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilloviq.
Ai tha se pavarësisht mohimeve të Vuçiqit për përfshirjen e Serbisë në sulm, dokumentet dhe dëshmitë e publikuara më parë dhe sot, dëshmojnë të kundërtën.
“Në deklarimet e tij publike, Presidenti i Serbisë është munduar ta mohojë faktin që shteti që ai udhëheqë ka qenë i përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit të 24 shtatorit, mirëpo dokumentet që kemi publikuar më parë dhe pamjet që do të publikojmë sot janë dëshmi e gjallë e angazhimit të strukturave ushtarake dhe shtetërore në këtë organizim”
“Së pari, dokumenti që kemi ndarë me ju para disa ditësh ishte vërtetim që ushtria e Serbisë ja kishte dhënë grupit terrorist gjithë atë armatim që ne konfiskuam. Edhe dje edhe sot ne kemi gjetur sasi tjera të armatimit në zonën ku vazhdon operacioni.”, tha ai.
“Së dyti, Serbia tha se ky ishte një grup i Serbëve të pakënaqur lokal, por ne publikuam hartat të cilat do të mund t’i shihni edhe sot të planifikimit ushtarak të këtij tentim-aneksimi.”, vijoi Sveçla.
“Së treti, Serbia tha që vrasja e policit nuk ishte e menduar, por videoja që do të shihni është sulmi me armë të kalibrave të rëndë ndaj Policisë së Kosovës edhe pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku.”, u shpreh ai,
“Serbia dhe Aleksandar Vuçiq në vazhdimësi u përpoqën të thonë që ata nuk kanë të bëjnë asgjë me këtë sulm, por faktet që do të publikojmë dëshmojnë përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi në bazën e trajnimeve ushtarake në Pasuljanske Doline, afër Jagodinës si dhe në Kopaonik. Të gjitha këto pamje të përgatitjeve janë siguruar nga dronët e grupit terrorist që kemi konfiskuar, të cilët keni mundur t’i shihni në eksopozimin e gjithë armëve të konfiskuar në Banjskë në konferencën e kaluar për shtyp.”
Ndër të tjera, ministri Sveçla e quajti Vuçiqin, Pablo Escobarin, Prigozhinin e Putinin e vogël të Serbisë duke thënë se as veriu i Kosovës nuk është Donbas e as Serbia nuk është Rusi.
“Shteti kriminal i Serbisë, ish-Ministri i propagandës së Millosheviqit, tash presidenti Aleksandar Vuçiq, pas dështimit në aneksimin e veriut, po dështon edhe në manipulimin se ata nuk ishin të përfshirë në këtë organizim terrorist. Po ashtu, Pablo Escobari i Serbisë u mundua të bëhet Prigozhin i Serbisë, por falë vetmohimit dhe profesionalizmit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ai dështoi siç dështoi edhe Putini i vogël i Serbisë. As veriu i Kosovës nuk është Donbas e as Serbia nuk është Rusi.”, tha Sveçla në konferencë teksa shtoi se shteti autokratik me historinë e tij kriminale sulmoi shtetin më të ri dhe më demokratik në rajon.
Ndër të tjera, ai ka kërkuar edhe sanksionimin e Serbisë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.
“Tash kur provat janë evidente është i domosdoshëm dhe jetik dënimi dhe sanksionimi i këtij sulmi terrorist të Serbisë ndaj Republikës sonë nga ana e faktorit ndërkombëtar.”, përfundoi Sveçla./Arbresh.info
“Po të lë anash”, Driloni e Anisa flasin për lojë
Shkup, arrestime e reagime pas një incidenti me flamurin maq...
UNDP i dhuron policisë pajisje pune për kontroll në vijën e ...
Anisa-Gjestit: Ti je qeni i Xhenetës
Ismet Bahtijarit i vazhdohet paraburgimi nga Specialja
Dronë të dyshimtë mbi bazat ushtarake amerikane, Britania di...