Google ADS

Osmani: Serbia trajnoi dhe armatosi terroristët

20:19 | 30 Shtator 2023
E.G

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur  për situatën në vend, veçmas pas sulmit terrorist nga një grup kriminelësh serbë në Banjskë të Zveçanit, ku ra në krye të detyrës rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Osmani ishte falënderuese për angazhimin e misionit të NATO-s, KFOR, sidomos kohëve të fundit, pas sulmit terrorist nga kriminelët serbë.

Ajo përmendi llojin e armatimit, si dhe një sërë elementesh tjera, që lidhin drejtpërdrejtë shtetin serb në këtë agresion të Serbisë ndaj Kosovës.

“Së pari ata njerëz ishin të trajnuar nga ushtarakët serbë, pastaj armatimi, të cilën kishin përdorur ata njerëz, janë të prodhimit serb, disa nga armët ishin të prodhuara në 6 javët e fundit”, tha, mes tjerash, presidentja Osmani në Channal 4.

Ndërsa e pyetur për mundësinë e ndikimit rus në veri të Kosovës, presidentja Osmani tha se është e mundur përfshirja e Rusisë gjithandej, derisa vuri në pah deklarimet e zyrtarëve rusë lidhur me gjendjen në rajon, ndërsa bëri të ditur se është në gjendje ta ndihmojë Serbinë në çdo formë të mundshëm.

Më tej, e para e shtetit ftoi vendet demokratike përparimtare që të qëndrojnë të bashkuar rreth Kosovës, që, duke mbrojtur popullin e Kosovës, pavarësisht përkatësive etnike, mbrojnë vlerat demokratike, ngase, sikundër u shpreh ajo, hegjemonizmi dhe shtetet diktatoriale janë kërcënim për demokracinë.

Tutje presidentja Osmani foli për Policinë e Kosovës, e cila, siç tha ajo, u tregua e shkëlqyer në aksionin kundër terroristëve serbë në Banjksë të Zveçanit, derisa shtoi se Policia e Kosovës është e para në marrjen e përgjegjësisë në sigurinë e vendit, pastaj EULEX, për të arritur te KFOR-i./rtk

Të ngjashme