Baraliu: Kurti nuk duhet të shkojë në dialog pa u dorëzuar terroristët nga Serbia

08:58 | 30 Shtator 2023
E.H

Rreziku nga grupet kriminale e terroriste serbe në veri të Kosovës ende nuk ka kaluar.

Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve të sigurisë, të cilët thonë se rreziku për ndonjë sulm tjetër ende nuk ka kaluar, raporton Arbresh.info.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami thotë se Serbia është e interesuar që pjesën veriut ta ketë nën kontrollin e saj.

“Pas rastit të fundit kur grupi paraushtarak e militarë, që ishte iniciatori i Ëagner-it dhe pas suksesit të jashtëzakonshëm të Njësive Speciale të Kosovës kundër tyre dhe një fitore në terren dhe në diplomaci, duhet që suksesin e arritur ta ruajmë sepse, shteti serb është e interesuar që atë pjesë ta shpall “të lirë”, dhe ta ketë kontrollin e plotë mbi të”, pohon Islami.

Sipas tij, rreziku për sulme të reja ekziston, pasi kufiri mes dy shteteve në atë zonë është shumë afër.

“Për të arritur këtë duhet pasur kujdes sepse organet e sigurisë së Kosovës në pjesën veriore mund të jenë të ekspozuar dhe në rrezik për sulme eventuale në grupacione të vogël -godit dhe ik- dhe kjo ja mundëson për shkak se kufiri është afër. Prandaj unë besoj që analitika dhe operativa e Policisë së Kosovës ka parasysh këtë dhe besoj që janë të përgatitur ashtu siç ishin në rastin e fundit, do të jenë të përgatitur edhe në të ardhmen, që mos të lejojnë befasi të tilla”, shprehet Islami.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Mazllum Baraliu thotë se shtetit i Kosovës nuk duhet të shkojë në dialog pa u dorëzuar terroristët nga shteti serb.

Sipas tij, në aspektin e dialogut, pas sulmit terroristë, Kosova është më në favor se Serbia.

“Kosova është dukshëm më tepër në favor, sepse para botës dhe para Bashkësisë Ndërkombëtare janë shpalosur në forma të ndryshme raportet tona me Serbinë dhe dialogun. Qasje asimetrike e padrejtë ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian, ndërmjetësit dhe Bashkësia Ndërkombëtare në tërësi gjatë gjithë kësaj kohe për kaq vite, mos njohja e statusit të barabartë të palës së subjektit të çështjes ndërkombëtare, trajtimi me presion dhe imponimi i gjerave, trajtimi si shtet i brishtë dhe faktikisht si territor i askujt, ka marr fund”, pohon Baraliu për Arbresh.info.

Sipas tij, të padrejtat që po i bëheshin Kosovës dolën të rrugën e saj, ndërsa se me këtë sipas tij, duhet të merr mësim bota.

“Në qoftë se kanë njerëzi logjik për të ndryshuar qëndrim, për të parë realitetin, për të kuptuar gjithë atë këmbëngulje dhe rezistencë gjatë gjithë kohës, ndaj pretendimeve presionuese dhe të padrejtave që i bëheshin Kosovës, dolën të jenë të vërteta në rrugën e saj dhe Kosova të jetë në rrugën e saj të drejtë dhe të vërtetë. Faktet dhe argumentet e saja dolën thjeshtë triumfuese dhe mësim për të gjithë diplomacinë botërore dhe për qasjen ndaj problemeve bilaterale ose mes shteteve të bashkësisë ndërkombëtare”, shtoi me tej Baraliu.

Sipas tij, kryeministri i vendit, Albin Kurti nuk duhet të ketë kontakt me shtetin serb, derisa kjo e fundit t’i dorëzojë shtetit të Kosovës sulmuesit të cilët sulmuan zyrtarët policor me 24 shtator.

“Kurti tani s’duhet pranuar kurrfarë kontakti me Serbinë, as dialog as asgjë, derisa nuk i kthen të gjithë ata keqbërësit terrorist të cilët e bënë nën dirigjimin organizimin dhe financimin e shtetit serb dhe të Vuçiqit, një agresion të pashembullt dhe dukshëm ndaj Kosovës”

“Derisa bashkësia ndërkombëtare nuk i ndërron kushtet, nuk i heq masat menjëherë ndaj Kosovës, nuk e dënon menjëherë pa vonesë aktin e agresionit, vetëm pasi të ndodhin këto mund të kthehemi në dialog”, shtoi Baraliu.

Mes tjerash, ai shtoi se edhe po të kthehemi në dialog, duhet të i ri-formatizojmë kërkesat tona ndërsa sipas tij, të gjitha marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë janë shkelur nga shteti serb.

“Vetëm atëherë mund të kthehemi në dialog për të ri-formatizuar kërkesat tona, që vetëm mund të dialogohet për njohje reciproke dhe de-jure të Kosovës nga ana e Serbisë. Marrëveshja edhe ajo kinse e Brukselit, edhe ajo e Ohrit, edhe marrëveshja e Kumanovës edhe Rezolutat, të gjitha Serbia i ka hedh poshtë i ka shkelur me të dy këmbët dhe do të duhej që të jap përgjegjësi për këtë, të marr sanksione dhe dënimin e merituar dhe Kosovës të i pranohet rruga e saj e drejt dhe përpjekjet e saja korrekte demokratike perëndimore edhe në rastin e Ukrainës edhe në problemet e saja me Serbinë”, tha në fund Baraliu.

Sulmi terroristë i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit

Ndryshe, mëngjesin e 24 shtatorit, një grupi armatosur serbë sulmuan zyrtarët e Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti dhe u lënduan dy të tjerë.

Nga sulmet e vazhdueshme mes Njësisë Speciale të Kosovës dhe sulmuesve terroristë serbë gjatë gjithë ditës së diele, u vranë tre terroristë, ndërsa policia ka arritur t’i arrestojë tetë persona të dyshuar, katër prej tyre janë liruar në mungesë të provave nga Prokuroria Speciale.

Njësia Speciale Policisë së Kosovës, ka parandaluar një sulm terrorist, të cilët kishin për qëllim marrjen e pjesës veriore nën kontrollin e Serbisë.

Gjatë zhvillimit të ‘luftimeve’ po ashtu u gjeten një sasi e madhe e armëve ushtarake, të cilat janë konfiskuar nga Policia e Kosovës e më pas janë ekspozuar për qytetarët.

BE dhe SHBA-të kanë dënuar sulmin terroristë ndaj Policisë së Kosovës./Arbresh.info./Ejona Hyseni/

Të ngjashme