Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka telefonuar sot presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, me të cilin kanë diskutuar për rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të de-përshkallëzuar tensionet me Kosovën, pasi një grup terrorist sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku.
Blinken ka thënë se ata që janë përgjegjës për sulmin e që tani ndodhen në Serbi duhet të mbajnë përgjegjësi.
Numri dy i SHBA-së ka thënë se ShBA’ja mbështet veprimet e KFOR-it dhe ELUEX-it ndaj sulmit të ndodhur më 24 shtator, duke thënë se incidentet si ky i Manastirit të Banjskës paraqesin sfida të papranueshme për KFOR-in dhe për komunitetin ndërkombëtar.
Blinken gjithashtu ka mirëpritur vendimin e Këshillit Atlantik për trupa shtesë në Kosovë dhe ka thënë se Serbia duhet ta shoqërojë de-përshkallëzimin e menjëhershëm me zbatimin e plotë të angazhimeve të saj sipas marrëveshjes së normalizimit në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE.
“ Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken ka biseduar sot me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Sekretari Blinken dhe presidenti Vuçiq diskutuan rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të de-përshkallëzuar tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit dhe vdekjes së një rreshteri të Policisë së Kosovës. Sekretari nënvizoi se ata që janë përgjegjës për sulmet që tani ndodhen në Serbi duhet të mbajnë përgjegjësi. Sekretari shprehu mbështetjen e tij për veprimet e KFOR-it dhe EULEX-it në reagimin ndaj kësaj ngjarjeje, duke vënë në dukje se incidentet si ato pranë Manastirit të Banjskës paraqesin sfida të papranueshme për KFOR-in dhe komunitetin ndërkombëtar dhe përshëndeti praninë e shtuar të KFOR-it dhe vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut për të autorizuar forca shtesë. Sekretari përsëriti se Serbia duhet të shoqërojë de-përshkallëzimin e menjëhershëm me zbatimin e plotë të angazhimeve të saj sipas marrëveshjes së normalizimit në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet në komunikatën e DASH-it.
Ndryshe, Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, ka shprehur shqetësimin e Washingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.
“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.
Zhduket një vajzë e mitur në Prizren
I mituri ther me thikë të miturin në Fushë Kosovë
Komisioni për Punë të Jashtme takon sot Komisionin për Buxhe...
SHBA njeh liderin e opozitës si president të zgjedhur në Ven...
Ndahet nga jeta në moshën 35-vjeçare aktori Paul Teal
Shënohet Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve