Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me anë të një postimi në rrjetin social “X”, ka shkruar se qeveria shqiptare ka komunikuar me nivelet më të larta të aleancës euro-atlantike të cilët kanë shprehur një gatishmëri maksimale lidhur me situatën e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës.
Rama u shpreh se pas këtij sulmi terrorist, situata është alarmante, shkruan Arbresh.info.
Ndërsa sqaroi edhe deklaratën e tij, ku kishte thënë se KFOR-i duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës.
Postimi i plotë i kryeministrit Rama:
Në kuadrin e mbështetjes së Shqipërisë për garantimin e sigurisë në veriun e Kosovës dhe marrjen e kontrollit nga KFOR-i, në këtë fazë kur rreziku i përshkallëzimit të konfliktit është alarmant, kemi komunikuar në nivelet më të larta të aleancës euro-atlantike e kemi gjetur një gatishmëri maksimale. Nga ana tjetër u kemi ripërcjellë aleatëve arsyet e moslinjëzimit tonë me deklaratën e fundit të BE-së, duke vazhduar të kërkojmë qëndrimin e tyre publik, lidhur me grupin e armatosur kriminal që vrau efektivin e policisë së Kosovës dhe lidhur me zinë kombëtare në Beograd për pjesëtarët e asgjësuar të atij grupi.
Atyre në Prishtinë që në vend se të fokusohen 100% tek sfida e jashtëzakonshme që kanë, gjejnë kohë edhe për të fryrë me fejsbuk, përmes profilesh politike apo profilesh fallco, tullumbacin e konspiracionit të “vëllaut të Vuqiqit”, duke ngatërruar për arsyet e mosarsyes së tyre kërkesën time të shpjeguar publikisht dje për KFOR-in, me paralajmërimin tim të para disa muajve për “Republikën e KFOR-it”, u kujtoj sot se:
KFOR-i është NATO dhe jo një forcë pushtuese për llogari të Serbisë, e as një fuqi ndarëse e territorit të Republikës së Kosovës, po përkundraze një garanci shumë e madhe në çdo rast kërcënimi!
Unë e thashë qartë dje se këtë kërkesë e ka bërë edhe Presidentja Osmani dhe e shpjegova më tej se kjo që kërkoj sot nuk ka lidhje me atë çka kam shprehur disa muaj më parë, si frikë se mund të ndodhë nëse situata degradon, në mungesë të rezultateve të dialogut. Sepse, siç e shpjegova edhe dje, “nuk jemi akoma aty” dhe që të mos shkohet nesër deri aty, duhet që KFOR-i të marrë në kontroll veriun një orë e më parë.
E di çdokush të vërtetën e thjeshtë fare se në çdo rast dhe për çfarëdo nevoje të re operacionale në territorin e Kosovës, KFOR-i i harmonizon veprimet e veta me autoritetet shtetërore të Kosovës e me forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, prandaj është sa e dhimbshme, aq edhe qesharake, që edhe në këtë situatë kaq serioze për sigurinë në veriun e Kosovës, politikanë me profile publike apo me profile fallco në Prishtinë merren me të tilla manipulime të ulëta emocionesh të qytetarëve të tyre, duke deformuar qëllimisht qëndrimet e mia. Keqardhje për ta, se për trimat e biznesit politik e mediatik të Tiranës, që janë gati t’ia venë zjarrin vetë Kosovës, bashkë me Shqipërinë për përmbysjen imagjinare të “regjimit” tim, nuk kam asnjë sekondë për të humbur! /Arbresh.info/
Në kuadrin e mbështetjes së Shqipërisë për garantimin e sigurisë në veriun e Kosovës dhe marrjen e kontrollit nga KFOR-i, në këtë fazë kur rreziku i përshkallëzimit të konfliktit është alarmant, kemi komunikuar në nivelet më të larta të aleancës euro-atlantike e kemi gjetur një…
— Edi Rama (@ediramaal) September 29, 2023
Konfiskimi i armatimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dh...
Çfarë është rezistenca ndaj antibiotikëve dhe përse konsider...
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të s...
Reshjet e borës, zv.ministri Durmishi: Ekipet e mirëmbajtjes...
Koreja e Jugut: Rusia furnizoi me sisteme të mbrojtjes Koren...
“Euro Natur”, shqetësimin se zona Vjosë- Nartë kërcënohet ng...