Google ADS

Kosova e Italia me bashkëpunim të ri në Volejboll

16:54 | 29 Shtator 2023
D.H

Federata e Volejbollit të Kosovës dhe ajo e Italisë kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet dy federateve.

Presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës Bahri Gjinovci, ka udhëtuar në drejtim të Tiranës për takim të veçantë me homologun e tij nga Federata Italiane të Volejbollit, Giuseppe Manfredi, i cili qëndroi në kryeqytetin shqiptar në një vizitë dy ditore, me ftesë të Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV),shkruan Arbresh.info.

Gjatë takimeve e bisedave përgjatë dy ditëve,  Bahri Gjinovci, duke iu falënderuar edhe nikoqirit Erlind Pëllumbi, ka biseduar me të parin e volejbollit italian për shumë çështje me rëndësi për të dyja palët.

Gjinovci e Manfredi, e kanë realizuar takimin në Tiranë, i cili i pason takimet e mëhershme që i kanë patur në eventet e mëdha të volejbollit botëror. Federata Italiane e drejtuar nga z. Manfredi, ka shprehur gadishmërinë e sinqertë që të jetë më afër volejbollit kosovar.

Manfredi i ka ofruar homologut të tij kosovar që tu mundësohet trajnerëve kosovarë të jenë pjesë e grumbullimeve të Kombëtares Italiane në të dyja gjinitë.

Poashtu palët u pajtuan që ekspertë të volejbollit italian, trajnerë të grupmoshave të reja te djemtë e vajzat, të qëndrojnë në Kosovë, duke kontribuar direkt në këto grupmosha.

Manfredi, i cili edhe më herët është njoftuar hollësisht me ritmin e përparimit të klubeve, nivelit të garës dhe organizimeve të FVK-së, ka treguar haptazi simpatinë e tij për volejbollin e vendit tonë.

Ai i dhuroi një fanelë të Kombëtares italiane të parit të FVK-së Bahri Gjinovci.

Italia si superfuqi e sportit të rrjetës, do të jetë një aleat i rëndësishëm në hapat tjerë zhvillimor, që janë në planin e punës së FVK-së, ka thënë mes tjerash Gjinovci.

Manfredi pritet që së shpejti ta vizitojë edhe Kosovën, ftesë të cilën e pranoi nga homologu i tij kosovar.

Qëndrimin e tij në Tiranë, kreu i Federatës Italiane të Volejbollit, e ka cilësuar të frytshëm, duke i llogaritur si partnere serioze të dy federatat, atë të Kosovës e Shqipërisë./Arbresh.info/

Të ngjashme