Petkoviq mohon se Radoiçiq gjendet në spitalin ushtarak në Beograd

19:51 | 27 Shtator 2023
E.G

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe, Petar Petkoviq, hodhi poshtë pretendimet e bëra nga ministri për Punë të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, gjendet në spitalin ushtarak në Beograd.

“Sveçla gënjeu se Millan Radoiçiq është shtrirë në spitalin ushtarak në Beograd”, tha Petkoviq përmes një deklarate më 27 shtator.

Një ditë më herët, ministri Sveçla gjatë një interviste për Euronews Albania deklaroi se Radoiçiq – që ai tha se ishte udhëheqës dhe pjesëmarrës në sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit – “ka shumë gjasa që është në spitalin në spitalit ushtarak në Beograd”.

Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, që tha se shfaq Radoiçiqin e armatosur duke qëndruar në manastirin në Banjskë me një grup personash të armatosur dhe të veshur me uniforma ushtarake.

Në Serbi, vetëm ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka komentuar për këto pretendime, duke thënë se ajo video “duket” se nuk ishte incizuar në ditën kur ndodhi sulmi në veri të Kosovës.

“Nuk kam asnjë informacion nëse [Radoiçiqi] është në atë video apo jo, vërtetë nuk e di”, tha Daçiq për Radio Televizionin e Serbisë më 26 shtator.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë.

Nga sulmet mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar.

Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për sulmet në veri. Ndaj tre prej tyre, autoritetet e drejtësisë kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme