Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se ishte i gatshëm të ndërhynte nëse kërkohej pas sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.
Në një komunikatë për media, KFOR-i ka thënë se ishin të pranishëm në zonë duke vëzhguar aksionin e Policisë së Kosovës, duke shtuar se kanë vepruar në koordinim me institucionet e Kosovës dhe EULEX-it, përcjell Arbresh.info.
“Siç është theksuar edhe në deklaratën e KFOR-it të lëshuar më 24 shtator 2023, pas sulmit të kryer kundër Policisë së Kosovës në Banjskë, Policia e Kosovës ka ndërhyrë në përputhje me prerogativat e saj të zbatimit të ligjit, si reaguese e parë. Trupat e KFOR-it ishin të pranishëm në zonë. Ata vëzhguan nga afër situatën dhe ishin të gatshëm të përgjigjeshin, nëse kërkohej. Gjatë gjithë kohës, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i kanë vepruar në koordinim të ngushtë, respektivisht si reagues i parë, i dytë dhe i tretë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Sipas komunikatës, komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të rregullt me të gjitha palët e interesuara, “përfshirë EULEX-in, përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave të sigurisë së Kosovës, si dhe shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë”.
“Përmes KFOR-it, NATO gjithmonë do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”, thuhet tutje në njoftim.
KFOR-i edhe një herë ka bërë thirrje që dialogu është adresa ku mund të zgjidhen çështjet e pazgjidhura.
“KFOR-i gjithashtu do të vazhdojë të ofrojë kornizën e nevojshme të sigurisë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?
Drenusha- Rovenës: Ti doje të kishe diçka me Atillën, edhe m...
Krasniqi-kreut të SBASHK’ut: Sfidave të mësimdhënësve iu vje...
Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit
Prokuroria në Prishtinë ngriti 121 aktakuza ndaj 126 persona...
Era e fortë shkakton dëme në Durrës, palma bie në mes të tro...