Peci: 2023, viti më i suksesshëm i sektorit të bujqësisë që nga paslufta

14:30 | 26 Shtator 2023
K.B

Ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, para Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, ka raportuar për punën e tij në këtë sektor gjatë vitit 2023, ku, siç tha ai, është bërë avancimi i politikave dhe legjislacionit, me ç’rast është vërejtur puna e mirë dhe transparente në terren.

“Si rezultat i këtij angazhimi, 2023-ta është viti më i suksesshëm i sektorit të bujqësisë që nga paslufta”, deklaroi ministri Peci, derisa përmendi dy nga programet që janë realizuar në këtë periudhë nga Ministria e Bujqësisë, e të cilat janë: programi për pagesa direkte apo subvencione dhe programi për zhvillim rural apo grante.

Në vitin paraprak janë realizuar të gjitha pagesat në grante e subvencione, që sipas ministrit Peci kjo është hera e parë që është realizuar brenda vitit fiskal, ku numri i përfituesve të fermerëve arrin në 32728 sish, e ku shuma e parave që janë ndarë arrin në 59 milionë e 574 mijë euro. Sipas tij, shuma më e madhe u është ndarë bujqve për subvencione brenda vitit.

“Si rezultat i rritjes së mbështetjes së qeverisë kemi një trend pozitiv, ku kjo vërehet në rritjen e sipërfaqeve tokësore në të mbjella, që sillet rreth 63 për qind, në krahasim me vitin 2021”, shtoi Peci.

Tutje ministri i Bujqësisë theksoi se mbështetja në grante në perime, ka ndikuar që eksporti dhe importi të kenë bilancin më pozitiv deri më tani.

Më tej Peci ka folur planin e strategjisë nga kjo ministri 2022-2024, në kuadër të të cilit është aprovuar Ligji por Bujqësi, që ka mundësuar një reformë më të thellë në këtë sektor; programin kombëtar për Bujqësi 2023-2027; programi për grante të vitit 2023, si dhe një sërë udhëzimesh administrative e konceptdokumenteve.

Veç kësaj, ai përmendi edhe punën në sektorin e pylltarisë 2022-2030, ku janë miratuar e hartuar një varg planesh për veprime, si dhe Task Forcën për pengimin e prerjeve ilegale të pyjeve, etj.

Në fund ministri Peci iu përgjigj një varg pyetjesh nga ana e deputetëve të Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim./rtk

Të ngjashme