KMSHK dhe AGK apelojnë te mediat që të respektojnë kodin e etikës gjatë raportimit nga veriu

15:01 | 25 Shtator 2023
K.B

Këshilli i Mediave të Shkruara (KMShK) iu ka bërë thirrje mediave që të respektojnë kodin e etikës gjatë raportimit për situatën në veri të vendit.

Përmes një njoftimi nga KMSHK apelohet që të kenë kujdes në raportimin në situata të krizës, situata të ndjeshme, privatësinë dhe mbrojtjen e burimeve.

Tutje, në njoftim thuhet gjithashtu që mediat dhe gazetarët të mos zbulojnë identitetin e personave që mund të jenë pjesë e forcave të policisë dhe të mos i publikojnë fotografitë e tyre.

KMShK e kupton qëllimin e mediave dhe gazetarëve për të raportuar sa më në detaje për situatën, por në të tilla raste shkelet privatësia dhe etika në raportim të drejtë dhe korrekt.

“Këshilli i Mediave të Shkruara (KMShK) iu bën thirrje mediave që të respektojnë kodin e etikës gjatë raportimit për situatën në veri të vendit. KMShK ua sjell ndërmend mediave që të kenë kujdes në raportimin në situata të krizës, situata të ndjeshme, privatësinë dhe mbrojtjen e burimeve.
Po ashtu, KMShK iu bën thirrje mediave dhe gazetarëve që të mos zbulojnë identitetin e personave që mund të jenë pjesë e forcave të policisë dhe të mos i publikojnë fotografitë e tyre. KMShK e kupton qëllimin e mediave dhe gazetarëve për të raportuar sa më në detaje për situatën, por në të tilla raste shkelet privatësia dhe etika në raportim të drejtë dhe korrekt”, thuhet në njoftimin e tyre, shkruan Arbresh.info

Këtë thirrje të KMSHK-së e ka përkrahur edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bashkohet Këshillit të Mediave të Shkruara në thirrjen që gjatë raportimit për situatën në veri të Republikës së Kosovës, të respektohet Kodi i Etikës. Njëherësh, që të mos zbulohet identiteti i personave që mund të jenë pjesë e forcave të Policisë së Kosovës, dhe të mos i publikohen fotografitë e tyre”, thuhet në njoftimin e AGK-së./Arbresh.info/

Të ngjashme