Prokuroi special i rastit në veri, Naim Abazi ka thënë se janë duke u lokalizuar disa shtëpi dhe automjete në Banjskë të Zveçanit, në të cilat dyshohet se kanë armatim si dhe po punohet ende për të identifikuar persona tjerë të dyshuar lidhur me këtë rast.
Prokurori Abazi, po ashtu për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se aksioni është ende në procedurë dhe se po merren edhe disa veprime shtesë.
“Jemi në atë drejtim, tu punu hala në atë drejtim, për me mujt me identifiku edhe persona tjerë që janë të përshirë në këtë aktivitet kriminal”, ka thënë Abazi.
Gjithashtu Abazi bëri të ditur se janë sekuestruar edhe disa kamera në lokacionin e manastirit lidhur me këtë ngjarje.
“Jemi tu i identifiku edhe kamerat dhe lokacionet e ndryshme po ashtu kemi sekuestruat disa kamera, dëshmitaret jemi tu identifiku janë plotë veprime tjera që ndoshta s’mundem me t’i lisitu për shkak të hetimeve që janë tu u ba”, tha tutje prokurori Abazi.
Në vijim, Abazi ka deklaruar se nga Prokuroria Speciale do të parashtrohen edhe kërkesa për paraburgime.
“Po patjetër, po, po do të ketë veprime dhe do të ketë kërkesa që do të adresohen edhe përmes gjykatës edhe veprime tjera”, ka thënë prokurori Abazi.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, mbrëmë ka njoftuar 6 persona janë ndaluar për përfshirje në sulmin ndaj Policisë, dyshohen për vepra terroriste në Banjskë të Komunës së Zveçanit.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas PSRK-së, të ndaluarit dyshohen për disa vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
“Prokuroria Speciale, gjithashtu njofton se gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës, janë ndaluar gjashtë (6) persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 126 lidhur me ‘’Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’ nga neni 114, ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 138 lidhur me nenin 129 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.
Të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ka njoftuar PSRK-ja.
Më 24 shtator 2023 rreth orës 02:43 minuta, vendi u trondit nga një sulm i një grupi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kurse zyrtari policor Alban Rashiti u plagos dhe një tjetër u lëndua.
LEXO EDHE
Qytetet evropiane që janë magjike për Krishtlindje
Sfida e “Supermenit” në TikTok, Komuna e Lipjanit iu bën thi...
Vdes një 80-vjeçar si pasojë e zjarrit në një banesë në Shko...
Pesë mënyra natyrale për të luftuar infeksionet e traktit ur...
Të lindurit nën këto tre shenja të zodiakut adhurohen nga të...
“100% ka me dalë nga shtëpia”, për cilin banorë e ka fjalën ...