Google ADS

Biliçik: Është e rëndësishme që dialogu të sjellë rezultate

23:19 | 23 Shtator 2023
Orgesa Haziri

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Biliçik, ka theksuar se është e rëndësishme të vazhdohet dialogu Kosovë – Serbi, por është edhe më e rëndësishme që ai të sjellë rezultate.

Biliçik në një intervistë për “Demostat”, ka thënë se pala kosovare duhet të fillojë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Topi është në duart e Prishtinës në këtë pikë. Prishtina duhet ta zhbllokojë procesin që do të çojë në themelimin e AKS-së, si dhe të bashkëpunojë për gjetjen e një zgjidhjeje praktike, në mënyrë që të mbahen zgjedhje të reja në veri të Kosovës”, ka deklaruar Biliçik.

Duke komentuar deklaratat që ka dhënë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, që tha se BE-ja do të jetë e gatshme për zgjerim deri më 2030, ai ka thënë se është sinjal që BE-ja është i gatshëm dhe i përkushtuar për zgjerimin e ardhshëm dhe se ata që janë të gatshëm do të mund ta bëjnë këtë.

“Prandaj, në vend që të diskutoj për disa data konkrete për momentin, do të fokusohesha në zbatimin e reformave, vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe harmonizimin me Bashkimin Evropian në të gjitha segmentet, përfshirë edhe marrëdhënie të jashtme”, ka deklaruar ai./RTK/

Të ngjashme