Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj nxiti zyrtarët në Kosovë që të ndjekin rekomandimet e dhëna nga Shtetet e Bashkuara për procesin e dialogut me Serbinë.
“Ne nuk kemi nevojë për vetëizolim, kemi nevojë për miq dhe mbështetje”, tha Presidenti Begaj në një intervistë për Zërin e Amerikës duke shtuar se Shqipëria mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Sa i përket çështjes së arrestimit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, që ka çuar në acarim të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinës, Presidenti Begaj tha se duhet pritur vendimi i drejtësisë, duke shprehur besim tek pavarësia e saj. “Kur të flasë drejtësia, më pas ne mund të veprojmë”, u shpreh Presidenti Begaj.
Lidhur me marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë, Presidenti Begaj tha se po vlerëson kërkesën e Ministrisë së Jashtme për autorizim për nisjen e negociatave dhe se një grup ekspertësh i Presidencës dhe kësaj ministrie po punojnë për të arritur një version të autorizimit në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Zëri i Amerikës: Zotri President, në fjalën tuaj në Asamble ju kërkuat njohjen e Kosovës, nga ato vende që nuk e kanë bërë ende. Megjithatë, Kosova po kalon tani një moment delikat. Kohët e fundit janë shtuar përplasjet mes Prishtinës dhe Brukselit pas kritikave të kryeministrit Albin Kurti ndaj ndërmjetësuesve europianë, ndërkohë që si BE ashtu dhe SHBA-të, duken të zhgënjyera nga qasja e Prishtinës? Ju si e shikoni situatën e krijuar?
Presidenti Begaj: Përpara se t’i përgjigjem pyetjes suaj do doja ta filloja intervistën time duke shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta për ndarjen nga jeta të koleges tuaj, familjares së rregullt, kontributores së Zërit të Amerikës, Rudina Dervishi.
Për mua ajo do mbetet shembull frymëzimi për gjithë gazetarët jo vetëm të Zërit të Amerikës, por gazetarëve dhe medias në gjithë Shqipërinë.
Për të ardhur tek përgjigja e pyetjes suaj, unë në çdo takim që kam zhvilluar si kryetar i shtetit, me çdo partner ndërkombëtar, në çdo organizatë ndërkombëtare, kam shprehur nevojën e mbështetjes së Kosovës jo vetëm si mbështetje morale, por edhe në drejtim të njohjeve të reja.
Në fakt mbështetja e Kosovës është domosdoshmëri, domosdoshmëri jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin, për faktin që faktori shqiptar është një faktor i rëndësishëm për paqen, për sigurinë, mirëqenien dhe për zhvillimin e qëndrueshëm.
Faktori shqiptar e ka në ADN-në e vet frymën europiane dhe rrugëtimin euroatlantik.
Gjatë kohës që Shqipëria ka mbajtur pozicionin e vendit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjithmonë ka bërë thirrje në mbështetje të Kosovës dhe për njohje të reja të Republikës së Kosovës.
Është detyrë e çdo qytetari, e çdo shtetari, që të mbështesin Kosovën.
Për të ardhur në situatën e tanishme, Shqipëria dhe unë në fjalën time dje në OKB, mbështesim fuqimisht dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, dialog i cili është i lehtësuar nga Bashkimi Europian dhe i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë partneri dhe aleati ynë strategjik.
Ne nuk kemi nevojë për vetëizolim, ne kemi nevojë për miq, për mbështetje. Kështu që duhet patjetër që çdo rekomandim i dhënë nga aleati ynë strategjik duhet të dëgjohet. Duhet të dëgjohet më së tepërmi nga politikanët e Kosovës, ata të cilët janë vendimmarrësit për këtë gjë. Do të këshilloja që, të gjithë politikanët e Kosovës, të gjithë shqiptarët, duhet të kuptojnë që ne kemi vetëm një busull, ajo busull duhet të na orientojë drejt rrugëtimit euroatlantik.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...