Adrola Dushi flet indirekt për lidhjen me Capital T

09:27 | 21 Shtator 2023
K.B

Edhe pse ata nuk e kanë zyrtarizuar lidhjen e tyre, tanimë nuk është sekret që Capital T dhe Adrola Dushi janë në një romancë. Zërat për raportin e tyre nisën që në 2020 kur modelja mori pjesë në videoklipin e Capital T.

Ndonëse fillimisht thanë se janë thjesht miq, koha tregoi se mes tyre ekzistonte diçka më tepër.

Dhe kështu në asnjë intervistë ata nuk u shpëtojnë pyetjeve për njëri-tjetrin. E ftuar së fundmi në ‘Top Albania Radio’, Adrola është ‘ngacmuar’ me disa pyetje rreth Capital T, emri i vërtetë i të cilit është Trim.

“Sigurisht që më pëlqejnë trimat edhe patjetër që nuk mund të ishte ndryshe pa një trim në krahë (qesh).”-tha modelja me batuta.

Më pas ajo u ndal te koncerti ‘Time Capsule’ që reperi realizoi në Prishtinë pak javë më parë.

“Jam shumë fanse e tij me thënë të drejtën, po ta shikoni telefonin tim unë nuk kam asnjë foto dhe asnjë video nga ajo natë sepse e kam shijuar pafund atë koncert.”-u shpreh Adrola.

Mes të tjerash ajo tha se nuk do të ketë asgjë publike nga jeta personale, e kjo e shpjegon edhe faktin pse po e ruajnë në privatësi lidhjen e tyre. Sipas Adrolës, marrëdhënia është gjë shumë e shenjtë dhe nuk do ta shesë dhe të fitojë nga ajo.

“Për të qenë e sinqertë siç ka ardhur koha dhe siç kanë ardhur gjërat nuk më pëlqen më fare që të kem asgjë më publike. Nuk ka absolutisht gjë më të bukur sesa kur i shijon gjërat në privatësi domethënë çfarë shikoj unë në rrjetet sociale tmerrohem thjesht sepse ne njihemi të gjithë së bashku dhe nuk ka se e dimë shumë mirë si shkojnë gjërat dhe kur shikoj disa tmerre thjesht nuk i duroj dot dhe nuk dua të futem tek ajo gjëja sepse marrëdhënia është gjë shumë e shenjtë dhe nuk dua ta shes dhe të fitoj nga ajo gjëja ime dhe realisht dua që ta mbaj vetëm për veten time. Nuk e di nëse do t’ja dal në jetën time të kem një marrëdhënie shumë private. Nuk dua që emri im të lakohet për gjëra të tilla, unë e kam të shenjtë familjen. Nuk jam fanse që të dal dhe të bëhet publike diçka që është e jotja personale dhe që ti e shijon, e jeton, e gëzon dhe e do. Realisht shumë herë them që dua të zhdukem fare sepse nuk e dua, ju më njihni unë jam shumë e thjeshtë kam dëshirë që t’i shijoj gjërat e mia pa bërë shumë zhurmë.”

Deklaratat e Adrolës vijnë pasi në një intervistë të para disa javëve Capital T pranoi se është i përfshirë në një lidhje dashurie dhe të dashurën e tij e cilësoi si “më e bukura në botë”. Nga fjalët e tij ndjehej dashuria ndaj partneres së tij, e cila siç tha ai do të jetë pranë tij edhe në momentet më të rëndësishme të karrierës së tij artistike, duke e shoqëruar gjatë koncertit në Prishtinë.

“Normale që kam partnere. Për mua është më e bukura në botë. Do jetë edhe në koncert. Qëllimi kur je në një lidhje është martesa. Por, momentalisht nuk i kemi ato plane.”-tha ai.

Adrola e pyetur nëse është ajo vajza më e bukur në botë për Capital T në një intervistë tha:

“Unë jam! Mendoj se jam e bukur. Por, nuk e di nëse e ka patur për mua!”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme