Mblidhet Komiteti Drejtues i Strategjisë për Sundimin e Ligjit, prezantohen rezultatet e gjashtë mujorit të parë

15:54 | 20 Shtator 2023
E.G

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka marrë pjesë në hapjen e ngjarjes në të cilën është raportuar mbi punën dhe rezultatet e gjashtë mujorit të parë të zbatimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit.

Në këtë takim, Haxhiu ka falënderuar për pjesëmarrje të gjithë akterët kryesorë të sundimit të ligjit në Kosovë, partnerët ndërkombëtarë, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të pranishmit e tjerë, shkruan Arbresh.info.

Tutje ajo ka vlerësuar se takimet e Komitetit të cilat mundësojnë të evidentohen rezultatet e punës së përbashkët gjatë  kësaj periudhe kohore si dhe për të reflektuar ndaj ngecjeve të cilat kërkojnë një qasje të koncentruar dhe adresim të përbashkët.

Po ashtu, Haxhiu e cilësoi Strategjinë për Sundim të ligjit si një nga instrumentet që ndihmon në reformën në drejtësi, rrjedhimisht arritjen e rezultateve të rëndësishme të cilat synohen.

“Një sërë akte ligjore, koncept-dokumente dhe akte të tjera nënligjore janë miratuar në këtë fazë duke shtruar edhe më tej rrugën drejt zbatimit të suksesshëm të reformës.”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas po këtij raporti 6 mujor, deri më tani për periudhën e tillë, në kuadër të aktiviteteve të planifikuara të Ministrisë së Drejtësisë, 86% e aktiviteteve janë zbatuar plotësisht dhe janë në zbatim e sipër (25% janë zbatuar tërësisht, 61% janë në zbatim e sipër).

Ndërsa për periudhën e njëjtë 6 mujore, nga të gjitha institucionet përgjegjëse, 81% e aktiviteteve janë zbatuar plotësisht dhe pjesërisht, përderisa 19% e tyre kanë mbetur për zbatim.

“Gjatë kësaj periudhe Ministria e Drejtësisë pasur në fokus gjithashtu fuqizimin e profesioneve të lira duke shtruar rrugën e digjitalizimi të shërbimeve ligjore që ofron Ministria e Drejtësisë siç janë digjitalizimi i dhënies së provimit të jurisprudencës, licencimit të avokatëve, certifikimit dhe licencimit të noterëve, përmbaruesve, administratorëve falimentues dhe ndërmjetësuesve.”, thuhet në njoftim.

Ministrja Haxhiu theksoi se nuk do të ndalen pavarësisht sfidave dhe pengesave në të cilat hasim gjatë zbatimit të masave.

“Duhet të shikojmë drejt Planit të ri të Veprimit të Strategjisë 2024-2026 dhe zotimeve tjera, ashtu që përkushtimi dhe vullneti që e kemi, të sigurojë që reforma është e plotë dhe si e tillë të zbatohet në tërësi”, u shpreh ajo./Arbresh.info

Të ngjashme