Google ADS

OBSH kërkon “qasje të plotë” nga Kina për të përcaktuar origjinën e COVID-it

13:54 | 17 Shtator 2023
E.H

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) i ka bërë thirrje Pekinit që të ofrojë më shumë informacione për origjinën e sëmundjes COVID-19.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha për Financial Times se është i gatshëm të dërgojë një ekip të dytë për të hulumtuar origjinën e pandemisë COVID-19.

“Ne po i bëjmë presion Kinës që të japë qasje të plotë dhe ne po u kërkojmë shteteve që ta ngrenë këtë çështje gjatë takimeve të tyre dypalëshe, pra t’i bëjnë thirrje Kinës që të bashkëpunojë”, tha ai.

Komentet e shefit të OBSH-së vijnë në kohën kur autoritetet shëndetësore dhe kompanitë farmaceutike në mbarë botën po përditësojnë vaksinat e tyre për të luftuar variantet e reja të koronavirusit të cilat janë shfaqur.

Ghebreyesus për një kohë të gjatë i ka bërë presion Kinës që të ndajë informacione lidhur me origjinën e COVID-19, duke thënë se derisa kjo të ndodhë, nuk mund të përjashtohet asnjë hipotezë.

Virusi u identifikua fillimisht në qytetin kinez Vuhan në dhjetor të vitit 2019. Shumë dyshojnë se virusi u shpërnda nga kafshët e gjalla që gjendeshin në tregun e Vuhanit. Virusi më pas u përhap në mbarë botën, duke vrarë pothuajse 7 milionë persona./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme