Shkodër, 4 punonjës të policisë pezullohen pasi lejuan kultivimin e kanabisit

21:02 | 16 Shtator 2023
Orgesa Haziri

4 punonjës policie në Shkodër u pezulluan nga detyra për mos evidentimin e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në zonën e Velipojës.

Shefi i stacionit policor Velipojë, së bashku me përgjegjësin e kontrollit të territorit, specialistin e hetimit të krimeve si dhe një inspektor policie akuzohen nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit se kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike, në një sipërfaqe të madhe, në territorin e Velipojës, ku u zbuluan 10 920 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Ky është rasti i dytë brenda tre muajve të fundit kur punonjës të policisë së Shkodrës pezullohen nga detyra dhe hetohen nga prokuroria nën dyshimin e favorizimit të kultivimit të bimëve narkotike.

Në fund të muajit qershor u pezulluan 13 punonjës të policisë së Shkodrës, mes te cilëve edhe, zv Drejtori për Hetimin e Krimeve bashkë me shefin e seksionit për hetimin e krimit.

Ata u akuzuan se, në bashkëpunim kanë favorizuar kultivimin e bimeve narkotike në zonën e Anës së Malit.

Kultivimi dhe trafikimi i bimëve narkotike në më të shumtën e rasteve zhvillohet me dijeninë ose mbrojtjen e efektivëve apo drejtuesve të policisë vendore, çka dëshmohet edhe nga parcelat e shumta, që po zbulohen jo vetëm në zonat e thella malore, por edhe në afërsi të qytetit të Shkodrës, në Anë të Malit apo Velipojë.

Në fillim të muajit shtator, gjatë operacionit të koduar “Fly”, në zonën e thellë malore të Dukagjinit u zbuluan12 831 bimë narkotike, të dyshuara si cannabis sativa.

Ndërsa më 4 gusht, gjatë operacionit policor “Alpet e pastra”, në Shkodër, Pukë, Vau Dejës dhe Malësi e Madhe, u zbuluan dhe asgjësuan me djegie 15 395 bimë narkotike.

Por kjo është vetëm ajo çfarë forcat e policisë kanë arritur të zbulojnë.

Burime vendore flasin për sasi disa herë më të mëdha të bimëve narkotike, të kultivuara këtë vit në Shkodër, Pukë, Fushë Arrëz, Vau Dejës apo Malësi e Madhe.

Këtë vit, fenomeni i kultivimit të bimëve narkotike mori hov gjatë periudhës së fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 24 majit, kur një pjesë e madhe e forcave policore u angazhuan në mbarëvajtjen e veprimtarive zgjedhore.

Kjo i la hapësirë të lirë kultivuesve për të zgjeruar lehtësisht veprimtarinë e tyre në zonat e mbetura jashtë kontrollit policor.

Që nga fillimi i këtij viti, sipas policisë, në të gjithë territorin e vendit janë zbuluar dhe asgjësuar 289.357 bimë narkotike cannabis sativa, prej të cilëve 41.713 fidanë cannabisi.

Ndërsa janë identifikuar 202 autorë, nga të cilët 111 janë arrestuar, 63 në kërkim, 29 me masë tjetër sigurie./VOA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme