Shqipëria rekord në turizëm, Eurostat: Ecurinë më të mirë në Europë për 2023

08:24 | 16 Shtator 2023
K.B

Shqipëria ka përjetuar në 6 muajt e parë të vitit ecurinë më të mirë të turizmit në historinë e saj, duke shënuar rekorde europiane.

Të dhënat e publikuara nga Eurostat mbi net-qëndrimet në akomodimet turistike, që përfshijnë hotele, apo akomodime të tjera afatshkurtra për turizëm me kampingje e kampera, tregojnë se Shqipëria ka rritjen më të madhe vjetore në krahasim me mesataren europiane dhe të gjitha shtetet e Europës.

Net-qëndrimet në akomodimet turistike në 6-mujorin e parë të 2023 në Shqipëri u rritën me 44.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, në raport me 12.9% që ishte mesatarja e Bashkimit Europian.

Pas Shqipërisë renditet Qipro, me rritje 39.1% të net-qëndrimeve për të njëjtën periudhë, e ndjekur nga Mali i Zi me 37.2%, Malta me 30.5%.

Për periudhën janar-qershor 2023 Shqipëria kishte gjithsej rreth 1.7 milionë net-qëndrime, pothuajse njëlloj sa Mali i ZI (1.79 milionë), ndërkohë që në vitin 2019 Mali i ZI kishte gati dyfishin e net-qëndrimeve të Shqipërisë (1.5 milionë, kundrejt 806 mijë), sipas statistikave të Eurostat.

Të dhëna të tjera të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur pak ditë më parë se në 6 mujorin e parë të vitit 2023, shpenzimet e të huajve që kanë udhëtuar në Shqipëri arritën në total 1.55 miliardë euro. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë pas viteve ’90 dhe reflekton kthimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik këtë vit. Shpenzimet e të huajve për udhëtime janë rritur me 37% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

INSTAT ka bërë të ditur se në periudhën janar-qershor, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 3.396.932. Ky numër është rritur me 33 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Sa i takon kombësisë së turistëve, sipas Ministrisë së Turizmit, kryesojnë shqiptarët e Kosovës, me 40% të totalit., për tu pasuar nga italianët, 9% ose 310 mijë vizitorë dhe nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që janë respektivisht grupi i tretë dhe i katërt ./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme