Takimi i ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë u mbyll të enjten me thirrjet për bashkëpunim më të fortë në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër sulmeve kibernetike, si dhe në menaxhimin e kufijve.
Takimi, në të cilin morën pjesë 26 delegacione, u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit që do të zhvillohet më 16 tetor në Tiranë.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, tha se takimi ishte një hap me rëndësi për koordinimin e veprimeve rreth këtyre çështjeve.
“Kemi përcaktuar disa piketa, një ndër to është edhe fokusi më i madh për menaxhimin e integruar të kufijve, duke përfshirë edhe zhvillimin e një strategjie dhe koordinimin e një iniciative mes vendeve të Ballkanit dhe kërkojmë më shumë mbështetje nga BE për të rritur kapacitetet tona. Kemi rikonfirmuar vendosmërinë tonë në luftën kundër krimit të organizuar”, tha Balla.
Balla tha se ka propozuar krijimin e forcave të përbashkëta dhe mbajtjen ushtrimeve të përbashkëta “për të luftuar kundër aspekteve të veçanta të kriminalitetit.”
Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Johannes Luchner, tha se bashkëpunimi rajonal është përparësi thelbësore për BE-në.
“Dy faktorë kanë qenë kryesorë për rezultatet pozitive. Së pari partnerët e Ballkanit Perëndimor kanë pasur një përafrim më të mirë me politikën e vizave të Bashkimit Evropian dhe së dyti dhe miratimi i marrëveshjeve të reja status me FRONTEX, që do vijojnë me Shqipërinë (firmoset më 15 shtator) dhe dy me Serbinë e Bosnje Hercegovinën.
Ai theksoi se zbatimi i planit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor nga dhjetori i vitit të kaluar solli uljen e flukseve e emigrantëve përmes rrugës ballkanike gjatë këtij viti.
“Çështja e dytë me rëndësi është lufta ndaj krimit të organizuar dhe përgëzojmë Shqipërinë për arritjet. Sa i përket goditjes së grupeve kriminale në trafikun e drogës, ajo do të mbetet përparësi mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”, theksoi Luchner.
Luchner, po ashtu, nënvizoi se sulmet kibernetike mbeten kërcënim, duke shtuar se do të nisin diskutimet mbi një propozim të ministrit Balla për krijimin e një mekanizmi rajonal për paralajmërim të hershëm të tyre “në mënyrë që reagimi në të tilla raste të mos jetë i vonuar.”
Ai njoftoi se dialogu BE-Ballkani Perëndimor do të vijojë në takimin e ministrave për çështjet e drejtësisë dhe ato të brendshme, që do të mbahet më 26 tetor në Shkup./rel
Sherri blindon vendin e titullarit tek Cagliari, rivali i ti...
163 efektivë të arrestuar në Shqipëri, 444 punonjës policie ...
Arrestohen katër persona në Gjakovë për vjedhje identiteti d...
Kurti mori pjesë në ceremoninë “Laureatët 2024” ...
Marrje ryshfeti/ Arrestohen dy zyrtarë komunalë në Graçanicë...
Abdixhiku: Finalizuam orarin elektoral, agjendën zgjedhore, ...