BBC: Një pilot rus tentoi ta rrëzojë një avion britanik vitin e kaluar

17:43 | 14 Shtator 2023
E.K

Një pilot rus qëllimshëm gjuajti me raketa në drejtim të një avioni vëzhgues të Forcës Ajrore Mbretërore në hapësirën ndërkombëtare mbi Detin e Zi vitin e kaluar, raportoi BBC të enjten.

Rusia ia kishte lënë fajin një “keqfunksionimi teknik” për këtë incident.

Transmetuesi britanik tha se, në bazë të komunikimeve të dëgjuara, piloti rus i aeroplanit luftarak rus Su-27 gjuajti në drejtim të avionit të paemëruar britanik në shtator 2022, pasi e kishte marrë një urdhër të paqartë nga një stacion tokësor rus, dhe se bashkëpiloti i tij ishte përpjekur ta ndalte.

Avioni britanik ka sensorë të cilët i përgjojnë komunikimet, prandaj ekuipazhi i tij ka qenë në gjendje ta dëgjojë incidentin.

Në publik, zyrtarët britanikë s’i kanë dhënë rëndësi incidentit. Ministri i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe asokohe, Ben Wallace, tha para ligjvënësve në tetor se një avion luftarak rus “e lëshoi një raketë në afërsi” të një avioni britanik dhe se i kishte kërkuar shpjegim ministrit të Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu.

Ai tha se Rusia ishte përgjigjur duke thënë se “ishte një keqfunksionim teknik i avionit luftarak Su-27”.

“Ne nuk mendojmë se ky incident përbën përshkallëzim të qëllimshëm nga ana ruse, dhe analizat tona erdhën në përfundim se ishte për shkak të një keqfunksionimi”, tha Wallace.

I pyetur për raportin e se enjtes, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe tha se Wallace e “kishte informuar Parlamentin britanik tri javë pas incidentit, në interes të transparencës dhe sigurisë”.

“Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë ta mbrojmë sigurinë e operacioneve tona, të shmangim përshkallëzime të panevojshme dhe ta njoftojmë publikun dhe komunitetin ndërkombëtar”, tha Ministria. “Ky incident është një paralajmërim i vërtetë i pasojave të mundshme të pushtimit barbar të Ukrainës nga Putini”.

Max Blain,zëdhënësi i kryeministrit të Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, tha se kryeministri është i bindur se Wallace nuk i kishte keqinformuar ligjvënësit me deklaratën e tij, duke shtuar se “natyrisht, ka kufizime në të dhënat operacionale të cilat mund të thuhet publikisht për arsyeje sigurie”./REL/

Të ngjashme