Dy projekte për stadiumin e ri, Interi shton kapacitetin e tifozëve

17:02 | 14 Shtator 2023
KRG

Interi avancon me projektin për të ndërtuar stadiumin, teksa zona e përzgjedhur është ajo e Rossanos. Zikaltrit kanë dorëzuar te autoritetet lokale edhe projektin fillestar, në pritje të nisjes së debatit publik, teksa gjasat janë që deri në fund të vitit të ketë përfunduar përzgjedhja e projektit dhe të nisë kompletimi i procedurave ligjore.

Kështu zikatlrit kanë dorëzuar dy versione të stadiumit të ri, njëri i rrumbullakët në versionin e “Allianz Arenës” në Mynih dhe tjetri drejtkëndor, shumë i ngjashëm me “San Siron”.

Interesant është fakti që në të dy projetket aktuale, Inetri ka shtuar kapacitetin e stadiumit në 70 mijë ndenjëse, nga 60 mijë që ka qenë ideja e mëparshme, kur diskutohej ndërtimi i një impianti të përbashkët me Milanin.

Fakti që tifozeria zikaltër ka mbushur thuajse gjithmonë “San Siron” dhe Interi ka një mesatare prej rreth 70 mijë tifozësh për ndeshje, ka bërë që drejtuesit të kërkojnë ndërtimin e një stadiumi më të madh.

Ndërkohë, brenda muajit tetor pritet një takim edhe me kompanitë që kanë koncesionin e autostradës që kalon aty pranë, në mënyrë që të jepet një zgjidhje për menaxhimin e trafikut, pasi në rast të ndërtimit të stadiumit aty, do të ketë një shtim të ndjeshëm të njerëzve dhe makinave që frekuentojnë zonën.

Ideja e Interit është që të nisë ndërtimin e impiantit të ri brenda vitit 2025 dhe ta inaugurojë atë para 2030-ës. Një impiant personal do të rriste deri në dyfishim të ardhurat e klubit dhe do t’i jepte mundësi të garonte më lehtë në nivele të larta të futbollit europian./ss

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme