Google ADS

Media polake: Shqipëria, perfekte për pushime të lira

18:56 | 13 Shtator 2023
E.G

Shqipëria çdo vit po bëhet gjithnjë e më e njohur nga turistët e huaj, jo vetëm për atraksionet e shumta por edhe për çmimet e lira.

Kështu e nis shkrimin media polake “Radio Eska” që nënvizon faktin se vendi ynë po kthehet në një destinacion ideal edhe për pushuesit polakë.

Përvec relaksit në resorte, turistët mund të eksplorojnë edhe brigje të panjohura. Arsyeja pse Shqipëria është kthyer në një destinacion të preferuar është falë plazheve të bukura si të Ksamilit, Gjipesë, Dhërmiut, Borshit, Drimadhes, Jalës dhe Sarandës.

Por Shqipëria ofron më shumë se kaq. Vizitorët mund të admirojnë peizazhet e mrekullueshme duke nisur nga lagunat, shpellat dhe malet.

E për ata që janë të apasionuar pas malit nuk duhet të lënë pa vizituar Alpet Shqiptare dhe liqenin e Komanit i rrethuar nga kodra të shumta.

Ndër të tjera në artikull rekomandohen të vizitohen Berati dhe Gjirokastra, dy qytete të cilat janë të përfshira në listën e UNESCO-s.

Klima mesdhetare por edhe çmimet e lira janë ato çfarë po tërheqin më shumë turistët. Vizitorët mund të akomodohen me çmime që variojnë nga 15 Euro deri në afërsisht 170 Euro për natë. Një nga çmimet më të ulëta të ofruara nga agjencitë e udhëtimit është afërsisht 320 Euro për person për shtatë netë mes shumë paketave të tjera që ofrojnë agjenci të ndryshme turistike.

Ky vit cilësohet si bum turistik për Shqipërinë. Ministria shqiptare e Turizmit publikoi shifrat rekord të turistëve në periudhën Janar-Gusht 2023, sipas të cilave u vizitua nga 7, 190 410 turistë ose 27% më shumë se në të njëjtën periudhë të 2022.

Të shumtë janë edhe turistët polakë, që zgjedhin vendin tonë për të kaluar pushimet. Ndërsa sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë shpenzimet e të huajve që kanë vizituar Shqipërinë kanë arritur në 1.55 miliardë Euro në gjashtë muajt e parë të vitit, një rritje kjo me 37% ne krahasim me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar./tvklan

Të ngjashme