Google ADS

Masat ndëshkuese, Kurti: Janë sanksione, i quajtën masa që të mos detyrohen t’i votojnë në BE

20:07 | 12 Shtator 2023
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, e kanë dëmtuar dialogun.

Në një intervistë për Deutche Welle (DW), Kurti tha se masat në fakt janë sanksione, por, siç tha ai, nuk janë quajtur në këtë mënyrë që të mos jenë të detyruar t’i votojnë në Bashkimin Evropian, shkruan Arbresh.info.

Kurti u shpreh i bindur që nesë do të hidheshin në votim nuk do të votoheshin nga shumica dërrmuese e shteteve anëtare.

“Këto janë sanksione të cilat po na dëmtojnë neve, po na dëmtojnë sa i përket marrëveshjes se Stabilizim Asocimit, po na dëmtojnë sa i përket kredive dhe granteve dhe po na dëmtojnë sa i përket takimeve të nivelit të lartë. Merreni me mend, ministrit tim Nenad Rashiq i është anuluar takimi në Bruksel. Ai është serb nga Kosova, ministër në qeverinë time për fushveprimtarinë e komuniteteve dhe kthimit. Por, ata nuk i kanë quajtur sanksione, por i kanë quajtur masa në mënyrë që mos të jenë të detyruar ti votojnë në Bashkimin Evropian. Po t’i hidhnin në votim, jam i bindur që shumica dërmuese  e shteteve nuk do të ishin për, por e kanë përdorur një metodë të konsensusit të heshtur me një email që është dërguar nga Brukseli dhe na i kanë vendosur masat.”, tha Kurti.

Tutje, shefi i ekzekutivit ka thënë se heqja e masave do të ishte më mirë për Bashkimin Evropian, por edhe për Kosovën.

“Tavolina në Bruksel në këtë mënyrë është dëmtuar dhe dialogu është dëmtuar me këto masa dhe unë besojë që sa më parë që të hiqen ato është mirë edhe për Bashkimin Evropian  që prezanton vlera edhe për Kosovën që ka nevojë për zhvillim.”, u shpreh Kurti./Arbresh.info

Të ngjashme