Nga: Blendi Fevziu
Pothuajse të gjitha agjensitë ndërkombëtare të lajmeve kanë njoftuar se Serbia ka kryer dje një operacion të madh antikorrupsion, si rezultat i të cilit, 79 persona kanë rënë në pranga. Përtej statistikës së thjeshtë dhe përtej zhurmës që shkakton një ndërmarrje e tillë, ajo që ka ndodhur vërtet godet. Personat e arrestuar nuk janë shkelës ligji të zakonshëm; as keqbërës të thjeshtë. Janë njerëz ndër më të rëndësishmit në vend që përfaqësojnë një miksim fuqie dhe pushteti impresionues. Janë politikanë, të zgjedhur vendorë, zyrtarë lokalë e madje disa biznesmenë me emër. Edhe pse kushdo mund të thotë se këto emra nuk janë lista reale e problemeve dhe korrupsionit në atë vend, edhe pse shumë të tjerë mund të thonë se ka personazhe që kanë zullume edhe më të mëdha, gjithsesi, të gjithë bashkohen me idenë që më në fund Serbia po lëviz.
Po lëviz një prej vendeve më të korruptuara në Europë, një prej vendeve ku mafia ka bërë ligjin për vite me rradhë e favorizuar edhe nga dalldia nacionaliste dhe nevoja e Millosheviçit për ta instrumentalizuar atë e për të luftuar opozitën; një prej vendeve ku dukej se zbatimi i ligjit ka qenë në nivelet më të ulta në rajon (Shih raportet e përgatitura nga BE në vitet 2012 dhe 2013).
Ka dy shpjegime se përse Serbia vendosi të jetë aktive këtë moment. I pari dhe më pak i besueshmi është ai sipas të cilit zullumi në Serbi u bë shumë i madh dhe lufta e korrupsionit është një domosdoshmëri. Vendi kishte ngecur në vend dhe ecja përpara nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër veç goditjeve të njëpasnjëshme kundër korrupsionit dhe protagonistëve të tij.
I dyti dhe më i besueshmi ka lidhje më faktin që Serbia ka nisur negociatat me BE dhe lufta kundër korrupsionit është kushti bazë i saj për Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Këtu hyn Shqipëria, Maqedonia, Kosova e Mali i Zi. Një tjetër vend që është tashmë anëtar i BE, Kroacia, u detyrua të ndërmerrte masa drastike dhe të menjëhershme kundër korrupsionit për të hyrë në BE. Kroacia dhe Rumania janë dy vendet që kanë kryer operacione spektakolare që kanë çuar pas hekurave persona shumë të fuqishëm, deri Ish Presidentë e Kryeministra apo ministra në detyrë.
Sido që të jetë dhe kushdo ndër arsyet të dominojë në këtë vendim, Serbia po dëshmon vullnet në rrugën integruese. E vetmja që ka mbetur mbrapa në këtë rrugë është Shqipëria. Vullneti i emblematik i politikës dhe drejtësisë për të shmangur llogaridhënien dhe për të ndëshkuar shkelësit e ligjit po kthehet në një pengesë reale dhe të shumëfishtë në Shqipëri.
Një pengesë për zhvillimin normal të vendit, duke dëshmuar që ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Ose siç thuhet në gjuhën popullore: drejtësi ka, por është pak e shtrenjtë!
Një pengesë për investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Korrupsioni dhe mos zbatimi i ligjit janë dy armiqtë kryesore të investimeve dhe biznesit. Moszgjidhja e këtij problemi do të thotë më shumë varfëri.
Një pengesë për rrugën integruese të vendit sepse BE e ka deklaruar më shumë se sa disa herë: nuk ka integrim pa një luftë reale kundër korrupsionit. Ideja se mund t’ja hedhim BE është thjeshtë një iluzion ose një besim naiv në të cilin duket se nanuriten rëndom politikanët shqiptarë!
Dhe e fundit, një pengesë për të ardhmen e fëmijëve tanë, e ardhme që mbetet peng e hajdutëve të rradhës dhe e trishtimit që mosndëshkimi i tyre ngjalle tek të gjithë.
Për të gjitha këto arsye ne jemi sot edhe pas Serbisë, një vendi që kur ne aplikonim për në BE vriste njerëz të pafajshëm në Bosnjë, Kroaci e më pas në Kosovë. Ndërsa sot po fiton kohën e humbur. Atë kohë që ne e shpërdorojmë me pashë…
SHBA: Rusia dhe Irani po intensifikojnë fushatat dezinformue...
Aksident mes dy veturave në Prishtinë, lëndohen gjashtë pers...
Amerika zgjedh sot presidentin, 7 shtetet që mund të caktojn...
Rama priti në takim drejtorin për siguri të OSBE-së në Kosov...
Dita e ndeshjeve në Ligën e Kampionëve – spikat derbi evropi...
Më 12 nëntor mbahet ankandi i 14-të i letrave me vlerë për v...