Promovohet udhëzuesi për përdorimin e antibiotikëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor

17:58 | 12 Shtator 2023
E.G

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka marrë pjesë në ceremoninë e promovimit të udhëzuesit për përdorimin e antibiotikëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor (KPSh)

Në këtë tryezë lidhur me udhëzuesit për përdorimin e antibiotikëve në KPSh, mbështetur nga SDC /AQH, u diskutua për problemin global të shëndetit publik siç është rezistenca antimikrobike (RAM), shkruan Arbresh.info.

Ministri Vitia tha se rezistenca antimikrobike ka potencialin të prekë njerëzit në çdo fazë të jetës, si dhe të sfidojë sistemin shëndetësor. Kjo e bën atë një nga problemet më urgjente të shëndetit publik në botë.

“Rëndësia e udhëzuesit për përdorimin e antibiotikëve duhet të konsiderohet si një hap drejt një plani konkret që do të ngërthejë synime të koordinuara strategjike për të përshpejtuar reagimin e Qeverisë ndaj rezistencës antimikrobike me qëllim të përmirësimit të shëndetit të qytetarëve. Në përballje me rezistencën antimikrobike, Ministria e Shëndetësisë deri më tani ka zbatuar dy plane veprimi që janë në përputhje të plotë me Planin Global të Veprimit të OBSH për rezistencën antimikrobike dhe Konkluzat e Këshillit të Evropës”, tha Ministri Vitia, i cili shtoi se Qeveria mbetet e përkushtuar që bashkërisht me partnerët të arrihen përmirësime efektive ndaj kërcënimeve të rezistencës antimikrobike.

Njëkohësisht, Vitia i njoftoi të pranishmit se rezistenca antimikrobike, si nen i veçantë, është përfshirë edhe në ligjin aktual për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse, i cili tashmë është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Në kuadër të Planit të veprimit të Ministrisë së Shëndetësisë janë bërë investime në ngritjen e kapaciteteve laboratorike të mikrobiologjisë mjekësore në të gjitha nivelet e sektorit publik.

Në këtë ngjarje, të pranishmit thanë se ndonëse në shtetin tonë është shënuar ulje e ndjeshme në konsumin total të antibiotikëve prej gati 25%, megjithatë, ende kemi shkallë të lartë të keqpërdorimit të antibiotikut ceftriakson në Kujdesin Parësor Shëndetësor.

“Dokumenti i prezantuar sot do të jetë udhëzues i mjekut me qëllim ruajtjes së efikasitetit të antibiotikëve. Udhëzuesi do të jetë ndihmesë edhe në realizimin e projektit “International Center for Antimicrobial Resistance Solution”. Ky projekt trevjeçar do të nis i cili do të fillojë gjatë vitit  2024, do të fokusohet vetëm në përdorimin e drejtë të antibiotikëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor.”, thuhet në komunikatë./Arbresh.info

Të ngjashme