Zelensky: Kush bën marrëveshje me Putinin, përfundon si Prigozhin

20:17 | 9 Shtator 2023
Diellza Gashi

Presidenti Volodimir Zelensky, përjashton mundësinë e një kompormisi me homologun rus Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ai ju referua vdekjes së liderit të grupit mercenar të Vagnerit Ivgjeni Prigozhin, si shembull të asaj që u ndodhte njerëzve, të cilët bëjnë ujdi me presidentin rus. Sipas Zelensky-t, pas vdekjes së Prigozhin qëndronte Putini.

Teksa kundërofensiva ukrainase hyn në muajin e katërt, deri më tani me përparim modest, Zelensky refuzoi sugjerimet se kishte ardhur koha të negocionte paqen me Kremlinin, gjatë një intervistë për Fareed Zakaria të CNN.

“Kur kërkon të kesh kompromis apo dialog me dikë, nuk mund ta bësh me një gënjeshtar. A e keni parë Putinin të bëjë kompromis lidhur me çështje të tjera?  E keni parë të bëjë kompromis, me Çeçeninë, Gjeorgjinë, me Moldavinë. Ai i pushtoi këto vende”, tha Zelensky.

Ukraina shënoi fitore të rëndësishme në jugun e vendit, mes përleshjeve të ashpra me trupat ruse, siç pohohet në raportime nga fronti i luftës. Video të shfaqura të premten treguan një sërë pajisjesh  të shkatërruara ushtarake e llogore të braktisura në zonën mes Robotyne, Verbove dhe Novoprokopivka — një trekëndësh fshatrash që mbajnë çelësin për avancimin e ukrainasve drejt Tokmak, një nyje e rëndësishme e mbrojtjes ruse.

Sipas shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Kievit, ushtria ruse kishte humbur 600 trupa në vetëm një ditë, të premten, dhe zyra e partisë së Putinit “Rusia e Bashkuar”, në qytetin e pushtuar të Polohy ishte shkatërruar në një sulm, gjatë së njëjtës ditë.

Moska sakaq, deklaroi të shtunën se i qëndronte kushteve të veta për t’iu rikthyer marrëveshjes së grurit në Detin e Zi, nga e cila u tërhoq në korrik. Në veçanti, zëdhënësi Dmitri Peskov, tha se Rusia kërkonte që banka shtetërore bujqësore, të rilidhej me sistemin swift të pagesave, ashtu siç ka propozuar OKB./A2CNN/

Të ngjashme