Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka reaguar lidhur me arrestimet e tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
LVV përmes një reagimi publik në Facebook, ka thënë se përgjegjësia bie mbi Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, të cilin e kanë akuzuar për veprime të paligjshme.
Në postimin e LVV-së thuhet se Komuna e Prishtinës është zhytur në kaos ligjor, përcjell Arbresh.info.
“Arrestimi i Shefit të personelit të Komunës së Prishtinës, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kryetarit Rama, ish-asamblisti dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, z.Fadil Aliu – Hërtica, arrestimi i ish-Drejtorit të Qendres për Punë Sociale të Prishtinës, z.Vehbi Mujku, i dorëhequr ditë më parë, arrestimi i shefes së Njësisë së Shërbimeve Sociale, Znj.Valbona Makiqi, si dhe intervistimi i Nënkryetarit të Prishtinës, z.Alban Zogaj, është dëshmia më e mirë dhe e pakontestueshme e kaosit ligjor në të cilin është zhytur Komuna e Prishtinës”, thuhet në reagim.
Tutje, LVV në reagim thotë se Prishtina tani, nën qeverisjen LDK-PDK, është shndërruar në qytet kampion për paligjshmëri dhe padrejtësi.
“Si opozitë lokale vazhdimisht kemi ngritur zërin për parregullsitë dhe shkeljet ligjore që kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin tash e dy vjet në çdo segment të qeverisjes në Kryeqytet. Prishtina tani, nën qeverisjen LDK-PDK, është shndërruar në qytet kampion për paligjshmëri, padrejtësi e anarki. Nuk ka dyshim se përgjegjësia kryesor për këtë gjendje bie mbi të parin e Kryeqytetit, Përparim Ramën, për shkak të veprimeve të tij paligjshme, e të cilat tashmë çdo ditë po shpërfaqen në opinion”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Nga LVV kanë thënë se janë të “bindur se për këto arrestime nuk bëhet fjalë për veprime individuale të personave të arrestuar, por se kemi të bëjmë me veprimtari kriminale të koordinuar e organizuar në hierarki të pushtetit lokal në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
LVV ka kërkuar nga organet e drejtësisë të merren me rastin dhe t’i trajtojnë me profesionalizëm.
“Kërkojmë nga organet e hetuesisë dhe drejtësisë që rastin në fjalë, por edhe rastet e tjera të sinjalizuara e të denoncuara, t’i trajtojnë me prioritet e profesionalizem maksimal dhe t’i sjellin para përgjegjësisë të gjitha ata që në çfarë do mënyrë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin e për interesa personale e partiake, familjare e klanore. Nepotizmi, korrupsioni, keqpërdorimet, hajnia, paligjshmëria e pabarazia nuk janë as të pranueshme e as të lejueshme. Prishtina dhe qytetarët e Prishtinës duan dhe meritojnë qeverisje të pastër e të drejtë”, thuhet në reagim./Arbresh.info/
Lexo edhe:
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...