Google ADS

Sulmuan kryetarin e Federatës së Peshkatarëve në Liqenin e Vërmicës, prangosen tre persona

10:11 | 7 Shtator 2023
L G

Tre persona kanë përfunduar në pranga të Policisë së Kosovës, pasi dyshohen se kanë sulmuar fizikisht kryetarin e Federatës së Peshkatarëve dhe Rojeve të Peshkimit në Liqenin e Vërmicës, Milaim Vitia dhe dy zyrtarë të tjerë të kësaj Federate.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prizren, tre të arrestuarit dyshohen se më 2 shtator rreth orës 06:15 në Vërmicë kanë sulmuar kryetarin e Federatës së Peshkatarëve, Milaim Vitia dhe dy zyrtarë të tjerë, derisa po bënin inspektimin rreth peshkimit ilegalë, raporton Arbresh.info.

“Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, ka arrestuar edhe tre (3) persona A.S., S.P., dhe I.S, për shkak të dyshimit të bazuar mirë, se me datë 02.09.2023 rreth orës 06:15, në fshatin Vërmicë, komuna e Prizrenit, saktësisht tek bregu i liqenit “Drini i Bardhë”, derisa të dëmtuarit M.V., L.M., N.Rr., po bënin inspektimin në liqenin “Drini i Bardhë” lidhur me peshkimin ilegal, pasi që janë fjalosur të dyshuarit L.S., A.S., A.S., S.P., dhe I.S., me të dëmtuarit, dhe më pas i kanë sulmuar duke i goditur në pjesë të ndryshme të trupit, si pasojë e të cilave të dëmtuarit kanë kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Prizren, të konstatuara nga Raportet mjekësore”, bënë të ditur prokuroria.

Me këto veprime, sipas prokurorisë, të lartcekurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, nga neni 186 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Për të njëjtit, prokuroria brenda afatit ligjor ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit./Arbresh.info/

 

LEXO EDHE

Liqeni i Badovcit i pasur me 20 lloje të peshqve, disa prej tyre peshojnë deri në 200 kilogramë

Të ngjashme