Procesi i Berlinit, më 16 tetor do të zhvillohet në Tiranë

20:01 | 6 Shtator 2023
E.G

Procesi i Berlinit i cili vjen për herë të parë në rajon do të mbahet më 16 tetor në Tiranë.

Kështu bëri të ditur Ambasada Gjermane përmes një njoftimi në Facebook, shkruan Arbresh.info.

Qëllimi i Procesit të Berlinit është thellimi i integrimit rajonal dhe udhëheqja e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

“Kjo përfshin zhvillimin e infrastrukturës, ekonomisë, shkëmbimin rajonal e të rinjve, pajtimin dhe shkencën.”, thuhet në njoftim.

Përmes krijimit të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), të rinjtë mësojnë më shumë për vendet fqinje dhe kuptojnë se kanë më shumë të përbashkët sesa ndryshime.

Edhe nënshkrimi i marrëveshjes së roaming-ut është një sukses i Procesit të Berlinit: që nga ajo kohë, mund të lundroni pa pagesë në plazh në Mal të Zi dhe të telefononi në shtëpi – kjo vlen natyrisht edhe për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Këto janë vetëm dy rezultate, nga të cilat ju përfitoni ndjeshëm dhe që përgatisin rajonin për anëtarësimin në BE.

Tutje përmes një kolazhi, Ambasada Gjermane ka treguar të arriturat e Procesit të Berlinit./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme