Google ADS

Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në Open Government Partnership, mundësi e përmirësimit të transparencës

13:34 | 6 Shtator 2023
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin Global të 8-të të Partneritet për Qeveri të Hapur (Open Government Partnership).

Në adresimin e tij, në sesionin hapës të samitit që këtë vit po organizohet nga Qeveria e Estonisë, duke iu drejtuar pjesëmarrësve, përfaqësues të shteteve anëtare, aktivistë të shoqërisë civile dhe mysafirë të ftuar, ai tha që ndjehet i nderuar që është në mesin e tyre sot, e veçanërisht krejt në fillim të rrugëtimit të Kosovës si anëtarja më e re e kësaj organizate ndërkombëtare, përcjell Arbresh.info.

Ndër të tjera, Kurti u shpreh se për Kosovën, anëtarësimi dhe pjesëmarrja në OGP paraqet një mundësi për të përmirësuar standardet tona të transparencës, pasi që inkurajon qeverinë të jetë më e hapur për aktivitetet e saj dhe proceset vendimmarrëse dhe po ashtu rrit besimin e publiku.

“Të qenit pjesë e organizatës e vendosë Kosovën në skenën ndërkombëtare si një vend i përkushtuar ndaj parimeve të hapura të qeverisë, ndaj praktikave të mira të qeverisjes dhe është e gatshme të mbahet përgjegjëse për angazhimet e saj dhe të mësojë nga ata që kanë përmirësuar praktikat e qeverisjes së hapur”, shtoi kryeministri në adresimin e tij.

Tutje ai tha se nëpërmjet transformimit digjital synojmë të rrisim cilësinë e sistemit e arsimit, efikasitetin e sistemeve tona të kujdesit shëndetësor e drejtësisë, dhe të rrisim produktivitetin në ekonomi.

“Gjatë dy viteve të fundit kemi dixhitalizuar me sukses më shumë se 150 shërbime, të cilat janë të qasshme përmes portalit qeveritar, eKosova, derisa aktualisht jemi në proces të pilotimit për ofrimin e shërbimeve në lidhje me lindjen e fëmijëve.”, tha ai.

Gjithashtu, kryeministri Kurti foli edhe rrezikun me të cilin ballafaqohet çdo vend nga kërcënimet kibernetike.

Ai veçoi rreziqet me të cilat ballafaqohet Kosova nga aleatët e Rusisë, të cilët përpiqen që të shtrembërojnë të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen.

“Në situata të ndjeshme, kur vendi ynë angazhohet në procesin e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjitha pakicave në proceset demokratike të vendit pa ndërhyrje të huaja, kërcënimet kibernetike të llojit të dezinformimit, ngacmimi kibernetik dhe forma të tjera janë veçanërisht të dëmshme”, theksoi Kurti.

“Prandaj, kjo është arsyeja pse angazhimi dhe pjesëmarrja jonë në këtë ngjarje janë më të rëndësishme se kurrë dhe se mezi presim të mësojmë nga të gjithë ju dhe me të gjithë ju, për një demokraci digjitale më të fortë për qytetarët tanë”, tha kryeministri Kurti në përfundim të fjalës së tij.

Në Tallinn të Estonisë, kryeministri Kurti është shoqëruar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti. Republika e Kosovës u anëtarësua në Partneritetit për Qeveri të Hapur në muajin gusht. Ajo është tash në mesin e 75 vendeve anëtare. Samiti i sivjetmë i OGP-së po organizohet nga Qeveria e Estonisë. Përveç Kryeministrit Kurtit, pjesëmarrësve iu drejtuan edhe Kryeministrja estoneze Kaja Kallas, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, Presdenti i Malaëit, Lazarus Chakëera, Presidenti i Republikës Domenikane, Luis Abinader dhe Sekretari i OGP, Sanjay Pradhan./Arbresh.info

Të ngjashme