Britania do të shpallë Wagner organizatë terroriste

08:56 | 6 Shtator 2023
A Z

Mbretëria e Bashkuar pritet së shpejti të shpallë grupin e mercenarëve të Wagner si organizatë terroriste. Kjo nënkupton mes të tjerash se do të jetë e paligjshëm të jesh anëtar apo të mbështesësh organizatën.

Shumë shpejt drafti do të kalojë në parlament dhe nëse ai do të votohet do të lejojë që dhe pasuritë e mercenarëve të Wagner të kategorizohen si të ardhura nga terrorizmi dhe për pasojë dhe të sekuestrohen.

Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman e cilësoi grupimin si të dhunshëm dhe shkatërrimtar dhe një mjet ushtarak në duart e Vladimir Putin.

“Vijimi i aktiviteteve destabilizuese të Wagnerit vetëm sa vazhdojnë t’i shërbejnë qëllimeve politike të Kremlinit. Ata janë terroristë”, u shpreh mes të tjerash Braverman.

Wagner ka luajtur një rol kyç në pushtimin rus të Ukrainës si dhe në operacionet ushtarake në Siri dhe vende të ndryshme në Afrikë, duke përfshirë Libinë dhe Malin. Luftëtarët e saj janë akuzuar për një sërë krimesh duke përfshirë vrasjen dhe torturimin e qytetarëve ukrainas. /abcnews.al

Të ngjashme